Nesër në Bllagoevgrad të Bullgarisë do të hapet një qendër kulturore e cila do ta mbajë emrin “Nikolla Vapcarov”.
“Sa i takon asaj se si dhe në çfarë mënyre është regjistruar dhe bëhet, kjo gjë është në duart e institucioneve në Bullgari, ashtu siç hapja e klubeve në vendin tonë vlerësohet nga institucionet tona. Do të përsëris edhe një herë – mes të dyja vendeve duhet të formohen organizata, të mbahen ngjarje që afrojnë qytetarët, që afrojnë shtetet, që afrojnë institucionet, e jo të ndërtojmë retorikë siç e patëm gjatë periudhës së fundit me të cilën po bëhet krejtësisht e kundërta.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së.
Në hapjen e këtij klubi nuk do të marrë pjesë asnjë përfaqësues qeveritar, e as kryeministri Dimitar Kovaçevski. Edhe presidenti Pendarovski dje bëri me dije se ka marrë ftesë për hapjen e klubit, por për shkak të angazhimeve të planifikuara, nuk do të jetë i pranishëm në këtë ngjarje. Në vend të tij, në Bllagoevgrad do të udhëtojë sekretari i përgjithshëm i kabinetit të Presidentit, Mile Boshnjakovski.
Të vetmit nga koalicioni qeverisës që nesër do të jenë në Bllagoevgrad janë nga Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit. Ata dhe opozita do të priten me protesta nga VMRO-ja e atjeshme.
“Ky ishte një mundësi e mirë për të treguar unitet, të gjithë të vijnë atje dhe t’i mbështesim njerëzit tanë nga pjesa pirinase e Maqedonisë nga Bullgaria. Unë nesër do të shkoj atje, sepse mendoj se kjo do të ketë rëndësi për të tanët që të kenë më shumë vetëbesim, plus do të tregojmë mbështetje nga këtu se nuk i harrojmë, por përkundrazi se planifikojmë të vazhdojmë t’i mbështesim në mënyrë edhe më intensive nga ana tjetër e kufirit, në Bullgarinë fqinje. Kjo është një ngjarje e mirë për të dëshmuar atë që po e themi – se me të vërtetë po kujdesemi për popullin maqedonas, për identitetin maqedonas dhe se nuk e themi këtë vetëm me fjalë dhe fjali boshe.”- pohoi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkaq sipas kryeministrit bullgar qendra kulturore maqedonase fare nuk është regjistruar sipas ligjeve të tyre. Ai komentoi edhe nevojën për ndryshime kushtetuese në vend.
“Rruga të cilën duhet ta ndiqni është ajo e respektimit të rreptë të kritereve dhe të të gjitha gjërave të dakorduara që pranohen para BE-së në tërësi. Bullgaria është pjesë e BE-së dhe Bullgaria ka vendosur kushtet e saj. Por, ato kushte tashmë të konfirmuara nga vendet-anëtare të BE-së janë mbështetur me 25 nënshkrime. Kështu që ajo që është në marrëveshje dhe ajo që duhet të përmbushet dhe të zbatohet që konferenca e parë ndërqeveritare të mund të mbahet, e cila do të jetë fillimi i negociatave me BE-në, është gjëja të cilën duhet ta synojë RMV-ja.”- tha Gallab Donev, Kryeministër i Bullgarisë.
Me hyrjen në BE, sipas Donevit, obligimet e vendit po zgjerohen, e po ashtu edhe të drejtat dhe liritë e qytetarëve.