Kombëtarja gjermane e futbollit në Katar ka ambicie për të arritur një rezultat dukshëm më të mirë se në Rusi, kur pas humbjeve tronditëse nga Meksika dhe Koreja e Jugut përfundoi e fundit në grup. Pas një kohe të gjatë, Gjermania në Botëror nuk do të drejtohet nga trajneri, Joachim Low, por nga pasardhësi i tij dhe fituesi i Champions League me Bayernin, Hansi Flick.
Më pak se një muaj para turneut, Flick shpalli listën e zgjeruar me 55 lojtarë, ndërsa ajo përfundimtare do të ngushtohet nesër.
Në listën e zgjeruar është edhe emri i Youssoufa Moukoko, sulmuesit 17-vjeçar të Borussia Dortmundit, i cili ende pret debutimin e tij për gjermanët.
Kujtojmë, Moukoko është një nga futbollistët më të talentuar në botë, i cili në moshën 14-vjeçare nënshkroi një kontratë 10 milionë euro me Nike. Ai luajti për tre skuadra të moshave të Dortmundit, duke shënuar deri në 76 gola në 49 ndeshje. Dy vite më parë, kur hyri në lojë kundër Zenitit, u bë debutuesi më i ri në historinë e Champions League dhe të njëjtin rekord mban edhe në Bundesligë.
Sezonin e kaluar ai luftoi me lëndime, por tani ai po merr mundësi të rregullta në skuadrën e Edin Terzic dhe në masë të madhe i përmbush pritshmëritë. Në 16 paraqitje këtë sezon, ai shënoi katër gola dhe asistoi pesë herë.