Zgjerohen marrëdhëniet diplomatike me vende të ndryshme të botës

Zv.ministri i Jashtëm i Kinës Ma Zhaoxu u shpreh në një konferencë shtypi të enjten se, gjatë 10 vjetëve të fundit, diplomacia ka pasur arritje të gjithanshme .Numri i vendeve që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën është rritur nga 172 në 181 dhe numri i vendeve e organizatave që kanë krijuar marrëdhënie partneriteti me Kinën ka arritur në 113, nga 41 që ishte më parë.
Ma Zhaoxu tha gjithashtu se tani ndikimi ndërkombëtar, forca tërheqëse dhe fuqia formësuese e Kinës janë përmirësuar ndjeshëm dhe Kina ka marrë pjesë në qeverisjen globale në fusha më të gjera, në nivel më të thellë dhe me forcë më të madhe se kurrë më parë. Kina është bërë shtylla kryesore e mbrojtjes së multilateralizmit.
Lidhur me synimet e politikës së jashtme të Kinës, Ma Zhaoxu theksoi se qëllimet dhe objektivat e diplomacisë kineze janë shumë të qarta: ruajtja e paqes botërore, promovimi i zhvillimit të përbashkët dhe nxitja e ndërtimit të bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit. Kina këmbëngul në promovimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit nëpërmjet veprimeve konkrete. Ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” është bërë një produkt publik global popullor dhe një platformë e bashkëpunimit ndërkombëtar. Nisma e Zhvillimit Global dhe Nisma e Sigurisë Globale kanë kontribuuar për ruajtjen e paqes botërore dhe nxitjen e zhvillimit të përbashkët. Kina mbështet me vendosmëri sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb, rendin ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe normat e marrëdhënieve ndërkombëtare të mbështetura në qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, duke nxitur zhvillimin e qeverisjes globale në një mënyrë më të drejtë e të barabartë, theksoi numri dy i diplomacisë kineze.

Në rrafshin politik, nepërmjet PKK – së , mbahen kontakte me mbi 600 parti dhe organizata politike të botës, duke zhvilluar shkëmbime e dialog, duke ndarë përvojat e drejtimit partiak dhe të qeverisjes”, bëri të ditur znj. Shen Beili, zv.ministre e Departamentit të Lidhjeve me Jashtë të PKK-së në një konferencë shtypi të organizuar të enjten në Pekin në kuadrin e Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë.
Kina ka thelluar marrëdhëniet me parti në pushtet në vendet socialiste, vendet fqinje, vendet në zhvillim dhe ato të zhvilluara, duke ndërtuar platforma të ndryshme dialogu në rang rajonal e global në të mirë të zgjerimit të partneritetit të barabartë, të hapur dhe bashkëpunues të Kinës me vende të ndryshme.
Në përgjigje të pyetjes se si i menaxhon PKK-ja marrëdhëniet midis “mosndërhyrjes në punët e brendshme” dhe “mësimit të ndërsjellë”, znj. Shen theksoi se këto dy parime kanë pasqyruar qëndrimin konsekuent të PKK-së për respektimin e shumëllojshmërisë së qytetërimeve politike të njerëzimit dhe nxitjen e përparimit të mëtejshëm të këtyre qytetërimeve.
“Mosndërhyrja në punët e brendshme” është një parim bazë i njohur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare e nga parti të ndryshme, dhe përbën kushtin paraprak të ruajtjes së pavarësisë së një partie, shtoi znj. Shen.