Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka kërkuar nga udhëheqja e re e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (AKS) që të kontrollojë nëse agjentët e shërbimeve sekrete e kanë përgjuar atë në korrik, para nënshkrimit të marrëveshjes themelore me Kishën Ortodokse Serbe (KOS), mëson “Vijesti”, lajmëron MINA.
“Vijesti” ka mësuar nga burime pranë sektorit të sigurisë se Abazoviq dyshon se persona nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare e kanë përgjuar në mënyrë të paligjshme në korrik, në periudhën kur do të nënshkruhej marrëveshja themelore.
Sipas të njëjtave informacione, Abazoviq ka kërkuar nga menaxhmenti i ri i AKS-së që të kontrollojë besueshmërinë e këtij informacioni dhe tani është duke u punuar për të.
Abazoviq ka konfirmuar për “Vijesti” se ka kërkuar inspektim, por ka theksuar se nuk do të komentojë asgjë derisa të marrë një përgjigje të saktë nga Agjencia.
Kreu i mëparshëm i AKS-së, Savo Kentera, nuk iu përgjigj telefonatave dhe mesazheve të “Vijestit”.
Më 3 gusht, Abazoviq dhe patriarku i KOS-së Porfirije nënshkruan marrëveshjen themelore në Vilën “Goricë”, pa paralajmërim paraprak.
Pas nënshkrimit, Partia Demokratike e Socialistëve, Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Liberale dhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve kanë dorëzuar në Kuvend nismën për mocionin e votëbesimit të Qeverisë.




