Sun Yeli: Do të hapemi më tej ndaj botës

Të shtunën pasdite, zëdhënësi i Kongresit të 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës Sun Yeli e njohu medien në një konferencë për shtypin në Pekin me agjendën e Kongresit.

Sun Yeli u shpreh se në këtë kongres do të rishikohet Statuti e PKK-së, ku do të përfshihen teoria, pikëpamjet e mendimet e rëndësishme strategjike të përcaktuara në raportin e Kongresit të 20-të. Sipas tij, rishikimi i Statutit është një traditë e PKK-së.

Sun Yeli tha se ndërtimi i shoqërisë relativisht të begatë tani në Kinë i ka tejkaluar parashikimet e fillimit të Reformës e Hapjes dhe e ka arritur objektivin e paraqitur në Kongresin e 18-të të Partisë.

Sipas tij, në vitin 2020 PBB-ja e Kinës arriti në 101.6 trilionë juanë, duke ruajtur vendin si ekonomia e dytë në botë, ndërsa PBB-ja për frymë i kaloi 10 mijë dollarët. Ndërkohë, shtresa e mesme kineze i kaloi 400 milionët, duke u bërë grupi me të ardhura të mesme më i madh dhe me potencialin më të fuqishëm në botë. Në të njëjtën kohë, koeficienti “Engel” i banorëve të qytetit e të fshatit u ul përkatësisht në 29.2 për qind dhe 32.7 për qind, çka shënon një ngritje të dukshme të cilësisë së jetesës së popullit. Sun-i theksoi se shoqëria relativisht e begatë ka të bëjë jo vetëm me shifrat e vëllimit të përgjithshëm të ekonomisë, por edhe me përmirësimin e jetesës së shtresës së varfër, gjë që është më e rëndësishme. Deri në fund të vitit 2020, të 98 milionë e 990 mijë banorët e varfër në zonat rurale, të 832 kontetë e varfra dhe të 128 mijë fshatrat e varfër dolën nga skamja. Kjo është hera e parë në historinë e Kinës dhe konsiderohet si mrekulli në historinë e zbutjes së varfërisë të njerëzimit.

Sun theksoi se Kina do të zbatojë në mënyrë të palëkundur një hapje në sferë më të madhe, në fusha më të gjera dhe nivel më të thellë.

Ai shtoi se Kina do të vazhdojë t’i përmbahet parimit të “konsultimeve, ndërtimit e ndarjes së përbashkët” për të promovuar arritjen e pandërprerë të rezultateve prej nismës “Një brez, një rrugë”.

Sun Yeli tha se gjatë 9 vjetëve pas paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”, Kina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me mbi 140 vende e më shumë se 30 organizata ndërkombëtare. “Një brez, një rrugë” është bërë një produkt publik global i mirëpritur dhe një platformë e rëndësishme për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Deri në qershor të këtij viti, vëllimi i tregtisë mes Kinës e vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë” arriti në rreth 1.2 trilionë dollarë, bëri të ditur zëdhënësi, duke shtuar se shumë projekte bashkëpunimi u kanë sjellë vendeve përkatëse përfitime në zhvillimin ekonomik e përmirësimin e nivelit të jetesës.