Pronarët e tokave të Bllacës dhe Hanit të Elezit që duhet të shpronësohen, nuk janë dakord me çmimet që ua ka ofruar shteti për tokat.
Ato u ngritën në protestë dhe thanë se nuk pranojnë që tokat e tyre të shiten me vlerë prej 200 denarë për metër katror. Sipas tyre Valdet Xhaferi, drejtori i Byrosë për ekspertizë ligjore dhe zv/kryeministri Bujar Osmani në takimin e fundit, u kishin premtuar që çmimi i tokave do të jetë nga 10 deri 50 euro.
Banorët thanë se me çmimet që tani ua kanë ofruar me 4,5 deri 8 euro i kanë poshtëruar dhe janë tallur.
Ndryshe, ata thanë se nuk janë kundër ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë, por nuk do t’i japin tokat me vlera ndër 10 euro.
Pronarët e tokave paralajmëruan se do të bllokojnë rrugën nëse nuk gjejnë gjuhë të përbashkët me institucionet kompetente.