Shitet për 50 milionë euro ndërtesa e ish-misionit të Jugosllavisë në Nju Jork, Maqedonia ka hise prej 8%

Një nga vilat më të vjetra njujorkeze, të cilën Jugosllavia e bleu në vitin 1946, është shitur për 50 milionë dollarë para të gatshme, konfirmoi agjencia më e madhe e patundshmërive në SHBA, kompania “Dagllas Eliman”, kumtoi gazetës amerikane “The Wall Street Journal”.

Agjencia kumtoi se e ka shitur vilën në Nju-Jork, përndryshe ish-rezidencë e misionit jugosllav në Kombet e Bashkuara, në Avenynë e pestë prestigjioze në Menheten, për çmimin e plotë të kërkuar prej 50 milionë dollarëve para të gatshme.

Shitës të vilës, të cilën e shfrytëzonte edhe Misioni i përhershëm i Serbisë në KB, janë pesë shtetet trashëguese të ish-Republikës socialiste federale të Jugosllavisë, Sllovenia, Kroacia, BeH, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa vila është blerë nga kompania me adresë në Nju-Jork.

“Pronari i ri sapo bleu një pjesë të rëndësishme të historisë së Nju-Jorkut”, deklaroi Tristan Harper, agjenti i “Dagllas Eliman” i cili e bëri kontratën.

Ai theksoi se kryetari i ish-RSFJ-së, Josip Broz Tito, “edhe pse komunist, ka pasur shije shumë të mirë për patundshmëritë”.

Sipas agjentit, vila për herë të parë u ofrua për shitje në vitin 2017.

Në qershor të vitit 2021, Harper kumtoi se është marrë ofertë në para të gatshme prej 50 milionë dollarëve për blerje të vilës dhe se vendet që e shesin (suksesore të RSFJ-së) kanë arritur konsensus për shitje.

Mediumet serbe e citojnë sekretarin shtetëror në Ministrinë e Punëve të jashtme, Nemanja Staroviq, i cili në shkurt deklaroi se në bazë të Aneksit B të Kontratës për sukcesion të pronës së ish-RSFJ-së jashtë vendit, Serbisë i takojnë jo plot 40 për qind të parave nga shitja e ndërtesës së misionit të përhershëm në Nju-Jork.

Me Aneksin B të Kontratës për suksesion të RSFJ-së është definuar se nga 123 përfaqësitë diplomatike të RSFJ-së, BeH-së i takojnë 15 për qind, Kroacisë 23,5, Maqedonisë së Veriut 8, Sllovenisë 14 dhe Serbisë e Malit të Zi – të cilat atëherë e përbënin RSJ-në – 39,5 për qind.

Sipas shpalljes së publikuar paraprakisht për shitje, vila është ndërtuar në katër nivele dhe ka dy kate, 18 dhoma, gjashtë banjo dhe bodrum verërash.

Ajo ishte ndërtesa e parë e cila kishte dy ashensorë elektrik, të cilët akoma janë në funksion.

Në të është ruajtur enterieri origjinal, ndërsa prej vitit 1969 është nën mbrojtje të shtetit dhe qytetit të Nju-Jorkut.

Gjatë Luftës së Ftohtë, kur këtu qëndronte edhe Titoja, në kulm thuhet se ka pasur dhomë të cilën nuk ka mundur ta përgjojë askush, si dhe dritare të padepërtueshme drejt Avenysë së pestë.

Pronari i parë i ndërtesës ka qenë guvernatori i Lon Ajlendit, Robert Bikman Livingston, sipas të cilit ndërtesa quhet Shtëpia e Bikmenit.