Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar mëngjesin e së shtunës se hakerat iranianë kanë sulmuar sistemin TIMS.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, kreu i qeverisë shqiptare nënvizon se po punohet pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, njofton kryeministri.
3 ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit. Rama deklaroi se ky vendim i Këshillit të Ministrave, erdhi pasi u zbulua se pas sulmit kibernetik të 15 korrikut, qëndron Republika Islamike e Iranit.
Ai kërkoi që stafi diplomatik i ambasadës së Republikës Islamike të Iranit të largohej brenda 24 orëve nga Shqipëria. Tashmë ambasada iraniane është e boshatisur. Godina ruhet nga forcat e policisë.
Ndërkohë, Euronews Albania raporton se në pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës sistemi TIMS është jashtë funksionit dhe po punohet manaulisht me regjistrim në regjistra për hyrje-daljet.
Raportohet se në pikën kufitare të Kapshticës po punohet me 5 sportele në dalje e 3 në hyrje. Ndërkohë që është shtuar personeli i shërbimit.
Aktualisht situata po normalizohet, pasi gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm ka pasur radhë të gjata.




