Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano i bëri thirrje Turqisë që të përmbahet nga retorika e përshkallëzimit drejt Greqisë fqinje, informon korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Ai duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, pas deklaratave të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan se Greqia “do të paguajë çmim të lartë” nëse i afrohet kufirit detar turk, zëdhënësi i Politikës së Jashtme, Peter Stano, e dënoi Ankaranë.
“Këto deklarata armiqësore janë burim i shqetësimit shumë serioz, qëndrimi i BE-së është shumë i qartë, presim që Turqia të përmbahet nga retorika e përshkallëzimit dhe të përkushtohet në marrëdhëniet e mira fqinjësore”, tha Stano.
Erdogani e paralajmëroi Greqinë që të mos i afrohet Turqisë në Detin Egje dhe të mos i shqetësojë anijet turke, sepse në të kundërtën do të paguajë çmim të lartë. Deklarata vjen në kontekst të tensioneve të mëdha ndërmjet Greqisë dhe Turqisë rreth kufijve detarë dhe Qipros.
Zëdhënësi Stano kërkoi nga Turqia që t’i zgjidhë problemet përmes dialogut, në frymën e bashkëpunimit dhe me respektimin e të drejtës ndërkombëtare.
“Greqia është vend anëtar i BE-së dhe sovraniteti dhe integriteti i vendeve anëtare të BE-së duhet të respektohet”, tha Stano.




