Kuvendi serb i miratoi marrëveshjet nga iniciativa “Minishengen” mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut

Kuvendi serb sot e votoi Marrëveshjen mes qeverive të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për njohje reciproke të shërbimeve të kualifikuara të besimit, informon korrespondenti i MIA-a nga Beogradi.

Ministri i Financave, Sinisha Mali në debat vlerësoi se miratimi i Marrëveshjes duhet të ndikojë ndaj subjekteve ekonomike të të dyja vendeve, të cilat në bashkëpunimin e tyre afarist do të transferohen në tregti elektronike, që është më e shpejtë dhe më efikase se sa klasikja.

“Njohja reciproke gjithashtu nënkupton se qytetarët dhe subjektet ekonomike nga njëri vend do të mund të përdorin shërbime onlajn për shtet tjetër, gjegjësisht do të mund të identifikohen përmes skemave të tyre elektronike për identifikim, të cilat janë pranuar njësoj në të dyja shtetet”, deklaroi ministri Mali.

Ai theksoi se shërbimet onlajn të një vendi do të jenë të kapshme në vendin tjetër, që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të të dyja shteteve.

Kuvendi serb e miratoi edhe Ligjin për konfirmim të Protokollit plotësues 6 për tregti me shërbime të marrëveshjes për ndryshime dhe plotësime të marrëveshjes për tregti të lirë në Evropën Qendrore.

“Rëndësia dhe motivi themelor për përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimit më të afërt në rajonin tonë është zhvillimi gjithëpërfshirës dhe modernizimi i shoqërive tona, gjegjësisht mirëqenia e të gjithë qytetarëve tanë”, theksoi Mali.

Njëkohësisht, shtoi Mali, Protokoll 6 nga marrëveshja CEFTA ka të bëjë me liberalizimin e tregtisë me shërbime, me çka rriten mundësitë për përforcim të bashkëpunimit ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor.