Mund të tingëllojë e pabesueshme, por Rita Ora kishte luajtur shkurtimisht në “Harry Potter”

Karriera artistike e Rita Orës ka filluar shumë kohë para se të bëhej e njohur globalisht.

Shqiptarja e famshme lindi në Prishtinë (26 nëntor 1990), ndërsa familja e saj u largua nga Kosova për arsye politike, për shkak të persekutimit të shqiptarëve të nisur me shpërbërjen e Jugosllavisë. Ata u zhvendosën në Londër të Anglisë në vitin 1991, kur ajo ishte foshnje.

Rita u rrit në Notting Hill, në Londrën Perëndimore dhe ndoqi shkollën e arteve interpretuese, ‘Sylvia Young Theatre School’. Para se të merrej me muzikë, ishte marrë me aktrim.

Si 13 vjeçare, ajo u paraqit në një episod të dramës televizive britanike, “The Brief”, që ishte edhe roli i parë në një serial televiziv. Menjëherë pas, Rita luajti në filmin britanik, “Spivs” (2004).

Porse, rrallëkush e di se po të njëjtin vit (2004), këngëtarja e famshme është paraqitur shkurt edhe në filmin “Harry Potter and the Prisoner of Azkaban”. Ajo paraqitet në sfond gjatë skenës kur Harry, Ron dhe Hermione ndjekin klasën e parashikimit të profesoreshës Trelawney.