Dy ambasadorë të rinj në Maqedoni! Metju Loson i Mbretërisë së Bashkuar dhe Luçano Suriani i Vatikanit

Presidenti Stevo Pendarovski i ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë dhe të nuncit të sapoemëruar apostolik të Selisë së Shenjtë. Ambasador i ri Mbretërisë së Bashkuar është Metju Loson.

Nga kabineti i Presidentit njoftojnë se në ceremoninë solemne, Pendarovski ka vlerësuar se Mbretëria e Bashkuar ka luajtur rol vendimtar në zhvillimin e Maqedonisë së Veriut si demokraci evropiane dhe ka siguruar se vendi do të vazhdojë të kontribuojë në të gjitha proceset e ardhshme paqësore si vend aleat i NATO-s dhe në interes të mirëqenies së kontinentit evropian dhe më gjerë. Ndërkaq ambasador i ri i Selisë e Shenjtë për Maqedoninë e Veriut, me seli në Sofje, është kryepeshkopit Luçano Suriani.

Në këtë ceremoni, Presidenti marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Selisë së Shenjtë i ka vlerësuar si pasqyrë e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe respektit të sinqertë, të riafirmuar gjatë vizitës së Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut në maj 2019.