Ramos: Nuk do të ndalemi derisa të gjejmë Martinin

Hetimi për Martinin, i cili u zhduk në det pranë Posidit në krahun e parë të Halkidikit më 9 korrik, vazhdon edhe sot, shpëtimtarët vullnetarë nuk ndalen me kërkimet dhe kryetari i ekipit vullnetar grek të shpëtimit OFKAT, Hristos Ramos, në një bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina thotë se nuk do të ndalen derisa të gjejnë të zhdukurin.

Anëtarët e OFKAT-it kanë qenë në terren që në momentin e parë, tashmë ditën e 13-të janë në kërkim çdo ditë në pjesë të ndryshme si në tokë ashtu edhe në ujë dhe kërkimi i tyre ka vazhduar edhe pas përfundimit të kontrollit zyrtar të drejtuar nga Shërbimi Bregdetar i Greqisë.

Sigurisht, kërkimi vazhdon edhe sot dhe nuk do të përfundojë derisa të gjejmë Martinin. Këtë deklaratë e kam bërë që në fillim dhe është një premtim që ia kam bërë familjes së Martinit”, tha Ramos për MIA-n.

Nga OFKAT, në profilin e tyre zyrtar në Fejsbuk dje kanë publikuar një foto të pantallonave të shkurtra të zeza, të gjetura pranë Katerinit, të ngjashme me ato të Martinit. Fotografinë ua ka dërguar një qytetar, i cili fatkeqësisht nuk i ka marrë pantallonat e shkurtra.

“Nuk e gjetëm kostumin e banjës. Fatkeqësisht, njeriu që e bëri foton nuk e ka marrë. Ishim në vendin ku na tha njeriu, së bashku me hotelin kërkuam gjithë zonën, në kallamishte, plehra, por nuk e gjetëm”, tha Ramos.

Kryetari i OFKAT-it ka sqaruar për MIA-n se meqenëse pantallonat e shkurtra ishin afër Katerinit, kërkimi është zhvendosur në pjesën konkrete, d.m.th dje kanë qenë në pjesën e Makrialos, Metonit, Alikes nga ana e Katerinës, ndërsa sot do të kërkojnë nga ana e kundërt, pra në gjirin e Selanikut në pjesën e Epamonit, Kalikratisë, Sozopolit, Iraklisë…

Njerëz nga Maqedonia e Veriut po ndihmojnë gjithashtu në kërkimin e Martinit, me një dron dhe shpëtimtarë që po kërkojnë në një vend tjetër.

Pasditen e 9 korrikut filloi operacioni i shpëtimit kur tre shtetas të Maqedonisë së Veriut hynë në det në plazhin Miti në Posidi në krahun e parë të Halkidikit dhe për shkak të motit të keq u gjendën në gjendje të pafuqishme dhe u larguan nga bregu.

Njëri nga tre miqtë, 25-vjeçari Vasil, u shpëtua po atë ditë pasi kishte qëndruar rreth dy orë në ujë, ndërsa një ditë më vonë, pas rreth 20 orësh në det, u gjet edhe 30-vjeçari Ivan, ndërsa kërkimi për shokun e tretë, Martinin, vazhdon prej 13 ditësh.

Edhe pse praktika e zakonshme e Shërbimit Bregdetar grek është që kërkimi të zgjasë 72 orë, pra tre ditë pas zhdukjes, kjo periudhë u zgjat pas kërkesës zyrtare nga pala maqedonase dhe bisedës telefonike mes krerëve të diplomacive të të dy vendeve, Bujar Osmani dhe Nikos Dendias.

Kërkimet zyrtare nga Roja Bregdetare e Greqisë përfunduan të enjten e kaluar dhe operacioni vazhdoi dhe vijon nga ekipet vullnetare të shpëtimit.