Shkruan: Medai Shaholli
Sot në parlamentin e Severnës pritet të votohet për propozimin francez si ofertë më emirë për të zhbllokuar veton bullgare, një deriçkë e vogël kjo për të parë deri ku shkon ky miratim me shumicë të thjeshtë parlamentare.
Pjesa tjetër e finalales mbetet te ndryshimi i kushtetutës ku aty do të has sharra në gozhdë, pasi VMRO-ja e Mickos dhe ‘Levica’ e Apasievit kanë thënë se nuk do të votojnë kurrë për ndryshimet kushtetuese që nënkupton se nuk do të kemi hapje të negociatave me BE-në edhe për disa muaj apo vite!
Partitë shqiptare në këtë gurgule kanë luajtur lojën e qeverisë duke u munduar me ‘mish e me shpirt’ për maqedonishten e Dhimos që të njihet dhe të quhet gjuha ‘maqedone e kombit maqedonas’ në bisedimet me Bullgarinë, ndërsa për gjuhën shqipe që nuk njihet nga ‘drzhava’ si gjuha shqipe po si ofendim përmes shifrave nuk është problem pasi ata mendojnë që njëherë të hapen negociata pastaj gjatë rrugës i detyron BE-ja ta shlyejnë atë nofkë të turpit në kushtetutë.
Politika e urtë dhe e butë e partive shqiptare nuk është naivitet politik por është servilizëm i paparë, sepse ata e dinë shumë mirë që të hapet kushtetuta duhen së paku 80 vota pro dhe të arrish të mbledhësh këto vota duhet ta bindësh jo vetëm SDSM-në por edhe VMRO-në, të cilët nuk pranojnë kurrën e kurrës në ndryshimet kushtetuese që gjuha shqipe të barazohet me sllavishten e tyre.
Ky është qëndrimi shoven i opozitës maqedone por dhe i SDSM-së së Dhimos, që nuk kanë gatishmëri të pranojnë barazinë dhe dygjuhësinë sepse barazia për ta paraqet vetëvrasje kolektive e popullit ‘maqedon’ me të cilën humbasin supremacinë e mbajtjes dhe ruajtjes së shtetit dhe pushtetit.
Ky është qëndrimi shoven dhe i heshtur ndaj shqiptarëve për të cilin partitë politike duket se kanë bërë një betim se nuk do të angazhohen për barazi të plotë mes shqiptarëve dhe ‘maqedoncave’, por do të vazhdojnë të mbështesin ato politika qeveritare që do të mbajnë larg shqiptarët nga termi barazi dhe element i barabartë me sllavët në kushtetutë.
Për tri dekada partitë shqiptare kanë luajtur rolin e ‘shfalerkës’ dhe serviles, ku ata asnjëherë nuk e kanë kushtëzuar krijimin e qeverisë së koalicionit me barazinë e plotë të shqiptarëve me ‘maqedoncat’, por i kanë mjaftuar për t’i lëpirë vetëm kockat e oborrit qeveritar që ‘drzhava’ ndan për qentë e lagjes.
Ndaj, miratimi i propozimit francez sot në parlamentin e ‘Severnës’ nuk do të thotë hapje e negociatave me BE-në pasi duhet ndryshuar edhe kushtetuta, ku ‘pakica bullgare’ duhet futur në kushtetutë si e barabartë me ‘pakicën shqiptare’, një pikëpyetje e madhe kjo për të ardhmen e ‘Severnës’ në vitet që do të vijnë!