Shkruan: Medai Shaholli
Këto ditë në qendër të Prishtinës bëhet e ditur nga burime të ndryshme informimi se po rinovohet monumenti i ‘vëllazërim-bashkimit’ titist i kohës së vetëqeverisjes jugosllave.
Cilido të jetë shkaku i këtij rinovimi ai monument paraqet të shkuarën e hidhur të sundimit serb në Kosovë, të cilët në emër të vëllazërim -bashkimit shtypën dhe torturuan, vranë dhe gjakosën qindra mijëra shqiptarë që kërkonin liri dhe republikë si të gjithë të tjerët nën mozaikën jugosllave.
Të rinovosh këtë gërmadhë të vetëqeverisjes socialiste jugosllave në mes të Prishtinës, do të thotë të lëndosh shpirtin e të gjithë atyre shqiptarëve liridashës që luftuan për liri, që nga luftrat e Azem Bejtës e deri te lufta e lavdishme e UÇK-së!
Ndërgjegjja kombëtare nuk e lejon që në qendër të Prishtinës të rikthehen reliktet e fantazmës jugosllave, ato janë e shkuara e errët e historisë së dhimbshme të popullit shqiptar të Kosovës ndaj si e tillë duhet flakur tutje në koshin e mbeturinave.
Një përgjegjësi morale dhe politike për këtë nismë të gabuar që sjell në kujtesë sundimin serb në Kosovë përmes këtyre monumenteve të turpit, ka si kryetari i komunës së Prishtinës rugovisti Përparim Rama ashtu edhe kryeministri Albin Kurti, që e kanë në duar përgjegjësin e zbatimit të ligjit dhe të veprimit për ta ndaluar rinovimin e kësaj vepre arti që në mbamendjen e shqiptarëve ajo paraqet pabarazinë dhe shtypjen nga sistemi titist jugosllav në Prishtinë.





