Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Bullgarisë të mërkurën pritet të diskutojë për propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Maqedoninë e Veriut, ku më pas do të dihet nëse do të hiqet ose jo vetoja bullgare për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian.
Sipas agjencisë bullgare të lajmeve, BGNES, në këtë mbledhje do të prezantohet “qëndrimi i Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë për procesverbalin e takimit të përbashkët në përputhje me nenin 12 të Marrëveshjes me Republikën e Maqedonisë së Veriut nga viti 2017, si dhe një paketë dokumentesh të Presidencës me Këshillin e BE-së lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian”.
Propozimi francez, zyrtarisht nuk është publikuar as në Sofje e as në Shkup, por bazuar në mediat bullgare dhe prononcimet jozyrtare në të dyja vendet, propozimi përmban të gjitha kërkesat bullgare, përveç gjuhës maqedonase.
Ndërkohë, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha të martën se vetoja bullgare duhet të hiqet pasi, sipas tij, zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor garanton paqe dhe stabilitet.
“Ne kemi dëshmuar se jemi partner i besueshëm dhe se jemi të përkushtuar për dialog për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme që do të zhbllokonte procesin e bisedimeve dhe integrimin evropian. Zgjerimi i BE-së me Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm çështje e zgjerimit, por është edhe çështje gjeostrategjike dhe politike – si për ne, ashtu edhe për tërë rajonin”, tha Kovaçevski, pa dhënë detaje lidhur me përmbajtjen e propozimit francez.
Ndryshe nga Qeveria, opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja ka thënë se nuk do të pranonte ndryshimin e Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve aty, por edhe marrëveshjen në tërësi e vlerëson “të dëmshme për interesat kombëtare maqedonase”.
Maqedonia e Veriut që nga nëntori i vitit 2020 nuk mund të nisë bisedimet me BE-në për shkak të vetos bullgare.
Bullgaria e ka bllokuar procesin e integrimeve për Maqedoninë e Veriut për shkak të kontestit ndërmjet dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe së kaluarës historike.
Dy vendet në vitin 2017 kishin nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por në vend të ngritjes së raporteve, kjo marrëveshje ka hapur temat, të cilat mes dy vendeve janë aktuale që nga periudha e para Luftës së Dytë Botërore./Rel




