Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, thotë se të gjithë të punësuarit me kontrata në Klinikën e Fëmijëve, si dhe në institucionet e tjera shëndetësore, do të marrin vendime pune, në përputhje me nevojat e klinikave. Ai arsyetohet se situata aktuale, ku shumë punonjës janë pa vendime, është si pasojë e politikave të mëparshme, të cilat kanë çuar në largimin e një numri të madh të personelit mjekësor.
“Pra edhe në këtë klinikë edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit gjithashtu ka boshllëqe të kapaciteteve njerëzore. Në përputhje me kërkesat dhe mundësit e kapaciteteve njerëzore ju siguroj se do të punësohen aq persona sa do të ketë nevojë institucioni. Kuptohet menjëherë nuk mund ta mbulojmë këtë boshllëk për dy arsye, arsyeja e parë është se vërtet s’kemi neve edhe po të duam nuk kemi mjek të cilët janë specialistë të ndonjë fushe ku kemi nevojë, tek motrat medicinale e dini se një pjesë e atyre për fat të keq, për shkak të politik bërjes deri tani janë larguar nga shteti”, deklaroi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Për mungesën e infermierëve, Aliu thotë se janë në komunikim me shkollat e mesme që përgatisin kuadro të infermierisë, me qëllim që të kenë të dhëna mbi numrin e të diplomuarve.
“Në bazë të analizave që i bëjmë në sistemin tonë, tani kemi në kohë reale në çdo spital sa ka të punësuar në bazë të këtyre analizave mundohemi që të komunikojmë me shkollat e mesme që prodhojnë kapacitete, profile të motrave medicinale dhe të shohim sa mbarojnë çdo vit që të bëjmë një projeksion tre vjeçar”, theksoi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë shtoi gjithashtu se një pjesë e punësimeve në Spitalin e Gostivarit tashmë janë përmbyllur. Ndërsa për Tetovën, ai theksoi se procesi ende nuk ka përfunduar, pasi për shkak të ndryshimeve ligjore nuk kanë arritur të përmbyllen procedurat administrative./Alsat.mk.



