Ftohtësia në raportet mes Ramës dhe Kurtit

Shkruan: Shkëlzen Dakaj

Edi Rama dhe Albin Kurti janë më larg njeri-tjetrit sesa që janë të dy këta me secilin lider të Ballkanit.

Raportet e tyre të ftohta tashmë janë në sipërfaqe!

Edi Rama është në Kosovë për të na treguar të gjithëve se nuk e ka në plan të ndjeke linjën qeveritare e të merret me Kurtin.

Po promovon veten dhe politikat e tij për Kosovën duke na thëne se pavarësisht qëndrimit zyrtar të Kosovës për Ballkanin e hapur ai do të ndërmerr disa masa që janë në interes të biznesit dhe ekonomisë së vendit.

Nesër takimi zyrtar i dy qeverive do të jete sa për sy e faqe, siç kanë qenë të gjitha mbledhjet e përbashkëta deri më tani, vetëm se kësaj here me dy kryeministra që janë në luftë politike me njeri-tjetrin.

Albin Kurti nga sot e ka edhe një opozitë të fuqishme, jo në prapavi, por publikisht. Vizita e Ramës sot, takimet dhe fjalimet e tij janë haptazi lufte kundër Kurtit.

Albin Kurti ketë luftë me pushtetin e Ramës e ka nisur kaherë, e publikisht e kishte shfaqur disa herë. Madje në zgjedhjet e fundit ishte direkt i përfshirë me idenë se mund ta rrëzoj nga pushteti.

Edi Rama sot tuboi rrethe vete armiqtë e Albin Kurtit. U dha mesazh atyre që ai ka informata se ua ka vendosur lakun në fyt qeveria e Kurtit.

Rama dha mesazhe të fuqishme për bizneset. Premtime të mëdha për t’i bindur se pavarësisht nga krizat që mund t’i keni nga qeveria e Kurtit, tregun e Shqipërisë do ta keni si shpëtim.

U dha mesazh atyre që edhe kur nuk i atakon direkt qeveria e Kurtit, e kanë frikën ne palcë nga kjo qeveri.

Nga kjo luftë e Kurtit dhe Ramës nuk duhet të shqetësohet askush.

Sa më shumë ashpërsohet lufta politike e tyre aq më shumë do të fitojnë shqiptarët nga te dyja anët e kufirit. Fundja, çdo e arritur shqiptare i ka rrënjët në inate e interesa.

Te dyja këto janë të gërshetuara në këtë situatë. Edi Rama për inat të Kurtit do i realizojë të gjitha premtimet e tij nga falja e portit, hapja e tregut për biznese të Kosovës, e deri te heqja e te gjitha barrierave tatimore.

Kurse Kurti, për inate të Ramës do të fillojë të afrohet edhe me ata që 20 vite i ka kritikuar si oligark dhe zhvatës të shtetit.