Shkruan: Medai Shaholli
Edhe në samitin e Ohrit kryeministri Rama vazhdoi të surprizojë opinionin me deklerata senzacionale mbi Ballkanin e Hapur, me ç’rast ai po kakariste si kaposhi në majë të plehut për gjoja leverditë ekonomike që do t’i sjellë rajonit Open Ballkani, ku të gjithë do përfitojnë nga lehtësirat fiskale që do t’i mundësojë tregu i përbashkët, ku për pasojë ky treg mes fqinjëve do shkaktojë bumin ekonomik dhe ‘zhdukjen e varfërisë’ përmes shtytjes së zhvillimit të biznesit, në krye me promotorin e ekonomisë më të fuqishme të rajonit siç është Serbia e vëlla Vuçiqit, aludonte ai.
Në lidhje me vizitën e papritur të Ali Ahmetit në Ohër, pas shumë të pavërtetave ai foli me superlativa për rolin e tij në dy dekada të fundit dhe arritjet e shqiptarëve në ‘dërzhavën Severna’. Mes shumë broçkullave për arritjet e shqiptarëve në këto troje ai shtoi:
“Një shtet i ndërtuar nga dy popullsi shtetformuese, maqedonasit dhe shqiptarët. Ishte një kohë kur as nuk mund të imagjinohej që gjuha shqipe do të ishte një gjuhë zyrtare, lëre pastaj të imagjinoje që kryetari i Parlamentit do ishte shqiptar, që dy zëvendëskryeministra do ishin shqiptarë, që kuedi unë sa ministra do ishin shqiptarë dhe kështu me radhë”, tha Rama.
Me këto lavde të thurura për mikun e tij media nën shërbim të Ali Ahmetit nxitoi të thotë se Rama u ‘mbylli gojën opozitës shqiptare, ASH-BESA’, të cilët përpos se nuk pranojnë të arriturat e Ahmetit së fundmi po bashkëpunojnë me Levicën fashiste të Apasievit po edhe me VMRO-në parti për të cilën UÇK-ja është organizatë terroriste! Kryeministri ynë i përhënur Rama ose nuk e di historinë e shqiptarëve të ‘Severnës’ ose nuk do ta di sepse shqiptarët që ta dini juve përtej kufirit se edhe gjatë sistemit jugosllav të vetëqeverisjes socialiste shqiptarët kishin kryetar parlamenti një shqiptar ‘të ndershëm’ si Vullnet Starova, ashtu siç e kanë edhe sot një shqiptar luajal Talat trimin, por që gjuhën shqipe nuk e përdor gjatë seancave veç ndonjëherë disa fjalë sa për sy e faqe se gjuha shqipe na qënkësh zyrtare ashtu siç ua kanë thënë ju z.Rama.
Gjuha shqipe nuk mund të përdoret zyrtarisht në ushtri, polici, gjykata, në Akademi të Shkencave dhe nuk gjen zbatim as në qeveri veç duke përkthyer materialet në shqip sipas dëshirës. Atëherë ku e shihni barazinë e shqipes me sllavishten e Kovaçevskit z.Rama? Ligji për guhët e pakicave është dëshmia më e fortë dhe e pakontestueshme që ky ligj është themeluar për përdorimin e gjuhëve të pakicave dhe jo i barabartë me sllavishten e Kovaçevskit, pasi ajo është supremja dhe nuk bën pjesë në kategorinë e gjuhëve të pakicave por te gjuha e shtetit.
Kështu z.Rama, mos bëni sikur nuk e dini qëkur ky dezertor Ali Ahmeti, nënshkroi kapitullimin pa kusht dhe nënshtrimin e kryengritësve shqiptarë me miratimin e MO, kur urdhëroi ish luftëtarët e UÇK-së të dorëzojnë armët dhe u thotë atyre se arritëm qëllimin me konfliktin e 2001, ku shqiptarët paskëshin ‘fituar lirinë dhe barazinë’ duke i mashtruar me statusin denigrues të bashkësisë etnike dhe të gjuhës së 20%! Një tjetër zhgënjim i shqiptarëve ‘me arritjet’ e Ali Ahmetit i dashur Kryeministër është miratimi i ligjit për flamujt e pakicave ku flamuri ynë kombëtar ka dimension me përmasa 3/1 më të vogël në raport me atë shtetëror dhe sipas ligjit duhet të përdoret krahas atij shtetëror.
Në qytetin ku ti z. Kryeministër more pjesë në samitin e Ohrit ku vetëm 7 kilometra e ndajnë Ohrin nga Struga, atje shqiptarët dhe gjuha shqipe nuk mund të përdoret as të shkruhet në asnjë institucion publik. Madje para katër a pesë vitesh për valëvitje të flamurit shqiptar një shqiptar vizitor nga Gjakova është dënuar me të holla për ‘shkak të nxitjes së urrejtjes me valëvitjen’ e flamurit kombëtar shqiptar mbi kalanë e Ohrit!
Shqiptarët e Manastirit në qytetit të Alfabetit z. Kryeministër, nuk guxojnë të flasin shqip me zë pak të ngritur në bulevardin e qytetit për shkak të kërcnimeve të shovinizmit sllav atje dhe ju këtë nuk e dini apo as që u bën përshtypje! Si mundet z.Rama që ti nuk e di se shqiptarët kanë tre Universitete publike dhe disa private në gjuhën shqipe dhe nuk kanë ligj për arsim të lartë të gjuhës shqipe? Ku i shihni arritjet shqiptarëve nën udhëheqjen e Ali Ahmetit z.Rama? Mos vallë ‘te arrtja’ dhe pjesëmarrja 11vjeçare e Aliut në koalicion me VMRO-në të cilët e quajnë UÇK-në terroriste apo me pjesëmarrjen dhe ‘suksesin e tij’ në koalicion me ish komunistët e SDSM-së që ti këta të fundit si emër nuk i ke për zemër në Shqipëri ndërsa në ‘Severnën’ tonë i ke miqtë më të mirë?! Ndaj z.Kryeministër, para se të thurni elozhe për miqtë tuaj këtu mësoni realitetin duke u njohur jo vetëm nga ata që janë në pushtet dhe mos gënjeni për interesa të çastit apo të të arsyeve të ndryshme për arritjet tona sepse flasin faktet, flet kushtetuta e këtij vendi, flasin ligjet ku dëshmitar është populli jo pushtetarët.
Shqiptarët këtej e kufirit janë pjesë e pandashme e trungut kombëtar dhe nuk janë mbetje osmane që ti z.Rama nuk ke qejf t’i trajtosh autoktonë në trojet e veta por ama kur vëllai yt Aleksi e quan Kosovën ‘pokrahinë serbe’ nuk mërzitesh por e dredh zinxhirin si ta dojë qejfi ndaj, duhet t’i njohësh më mirë shqiptarët e ‘Shqipërisë lindore’ dhe arritjet e tyre me statusin politik denigrues që kanë dhe duhet t’i mbroni këto të drejta kombëtare sepse keni detyrim kushtetues. Turpi është i zi dhe nuk e ka emrin vetëm Ali por edhe Edi!




