Komuna dhe Ministria e Arsimit akuzohen mes veti/ Gjimnazistët kumanovarë vuajnë për objekt të denjë shkollor

Gjimnazistët shqiptarë të Kumanovës do të vazhdojnë të mësojnë në objektin e kombinatit bujqësor, përderisa pushteti lokal dhe ai qendror “luajnë ping pong” mes veti. Kryetari i komunës e Kumanovës, Maksim Dimitrievski sikurse me ministrin paraprakë të Arsimit, Arbër Ademin edhe me Ministrin aktual Jeton Shaqiri, nuk po mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për ndërtimin e një objekti të ri të denjë shkollor. Shaqiri thotë se po pret nga ana e Komunës së Kumanovës të kompletojë dokumentacionin e projektit, që të mund të ndajë mjete nga buxheti i ardhshëm.

“Për të dorëzuar, për të siguruar mjete nga ana e buxhetit në rastin konkret për një shkollë konkrete, siç është ndërtimi apo përshtatja, rinovimi i shkollës “Sami Frashëri” në Kumanovë, duhet nga pushteti lokal të dorëzohet projekt konkret i cili është dokumentacion i kompletuar, për këtë gjë shfrytëzoj rastin të ftoj edhe kryetarin e Kumanovës. Ne si ministri do të kemi thirrjen e re për projekte të cilat do të vendosen në program për vitin 2023, nga 1 korriku dhe do të zgjas deri 31, të dorëzoj projektin, nga ana e ministrisë paratë janë të siguruara”- deklaroi Jeton Shaqiri – Ministër I Arsimit.

Këshilltarët komunal të Kumanovës nga radhët e BDI-së shqetësimin për objektin e gjimnazit dhe shkollës teknike në Kumanovë ia shprehën ministrit Shaqiri. Thonë se kanë kërkuar nga Komuna të shohin dokumentacionin që po punohet, por se nuk u lejojnë.

“Në një takim që e kishim më herët, apo koordinim që e kishim me përfaqësuesit e partive politike dhe kryetarin e komunës së Kumanovës, na u premtua se do të punohet lidhur me projektin për objektin e ri edhe i njëjti do të mundohen nga ana e NP “Kumanova plan” që në një afat dy mujorë, takimi që përmenda është realizuar në muajin shkurt tani jemi në qershor dhe nuk kemi ende projekt dhe atë ditë në seancë përfaqësuesi i NP “Kumanova Plan” na u përgjigj se projekti do të mund të bëhet më së shpejti në fund të muajit janar të viti 2023”- pohoi Arta Mehmeti-Ademi – Këshilltare w Komunës, BDI.

Kreu i Kumanovës, Dimitrievski këto deklarata i quan manipulime të BDI-së, thotë se nuk ka disponim nga pushteti qendror, konkretisht nga ministria e Arsimit për t’i dhënë fund këtij problemi. Shton se ai dhe këshilltarët e tjerë nuk kanë pasur ftesë për takimin e sotëm, edhe pse nga ana e këshilltarëve të BDI-së thonë se kanë qenë të ftuar të gjithë përfshirë kryetarin.

“Ministria nuk ka respektuar asnjë nga obligimet në pjesën e ndërmarrjes së aktiviteteve nga ana e tyre për ndërtimin e një objekti për gjimnazin “Sami Frashëri” dhe paralelet shqipe të shkollës teknike, nuk na janë përgjigjur në asnjë letër nga viti 2018 edhe pse kanë obligim të përgatisin projekt ndërtimor për rikonstruimin e objektit aktual, në ish kazermën në Kristijan Karposh, treguam se ai objekt me kapacitetin që ka nuk i përshtatet nevojave dhe se duhet të bëhet objekt i ri”- tha Maksim Dimitrievski – Kryetar I Komunës Së Kumanovës.

Ish Ministri Arbër Ademi për TV21 pati treguar se objekti te ish kazerma më është në pronësi të MASH bashkë me dy objekte të tjera dhe janë të destinuara për arsim dhe të ndërtohet një kampus arsimor, presin që komuna të realizojë projektin për objektin dhe të ndahen mjetet.

Mbi 20 vite gjimnazi “Sami Frashëri” dhe shkolla teknike në Kumanovë presin një objekt të ri. Ndryshe nxënësit e mjekësisë, në mungesë të hapësirave, mësojnë nëpër baraka.