Gripi, nxënësit mungojnë në mësime, MASH: Nuk ka kushte për ndërprerje të procesit mësimor

Për shkak të gripit sezonal, nëpër shkolla vërehen mungesa të shumta të nxënësve. Në Sh.F. “Imri Elezi” në Çair mungojnë nga 5 deri 6 nxënës nëpër klasa, e ky numër para një jave kishte shkuar deri në 13. Kështu tregon arsimtari Bunjamin Elezi, sipas së cilit këto ditë nxënësit kanë humbur shumë nga mësimi.

“Në krahasim me javën e kaluar kur kemi pasur mungesë shumë të madhe, por shohim që nga e hëna nxënësit kanë filluar të shfaqen më shumë në krahasim me javën paraprake. Serish mungojnë nga 5-6, e në javën tjetër kanë qenë nga 10 deri 13 nxënës që kanë munguar gjatë tërë javës, nxënësit nuk kanë ardhur në shkollë me ditë të tëra, kemi pasur problem të zhvillojmë mësimin me pak nxënës”, deklaroi Bunjamin Elezi, arsimtar.

Në Gjimnazin “Zef Lush Marku” situate me gripin është më e qetë. Ndihmës drejtori Besim Limani tha se javëve të kaluara mungesë të nxënësve ka patur më shumë sesa këtë javë.

“Fillimisht kur filloi gjysmëvjetori ndjehej mungesë më e madhe, tani shkon duke rënë numri i nxënësve që mungojnë, po edhe të kolegëve kryesisht. Prej 30 nxënësve mungonin 4-5, tani ka rënë në 1-2 që është normale”, theksoi Besim Limani, ndihmës-drejtor në “ZLM”.

Doktorët apelojnë që fëmijët por edhe të rriturit me grip të mos qëndrojnë në kolektiv dhe të kenë kujdes me higjienën. Sipas të dhënave të Instituti për Shëndet Publik, javën e kaluar, apo javën e gjashtë të gripit, janë raportuar 3,614 raste të personave me grip.

Vetëm mbrëmë në Klinikën e fëmijëve, janë kontrolluar 86 fëmijë, tre prej të cilëve u shtruan në spital me simptoma të gripit, njofton doktoresha Vesna Micevska, për “Utrinski brifing”.

“Momentalisht në Klinikën tanë kemi të hospitalizuar 34 fëmijë me simptoma të gripit, ose simptoma të ngjashme me gripin dhe të gjithë janë në gjendje të mirë. Në këtë periudhë gripi po e arrin kulmin, presim që nga java e ardhshme do të zvogëlohet numri i të prekurve nga gripi. Le të shmangin sa munden te ndenjurit në kolektiv, të mbajnë higjienë personale dhe higjiene për fëmijët e tyre”, tha Micevska.

Nga Ministria e Arsimit për TV21 thanë se nuk planifikojnë të ndërpresin procesin mësimor.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në situata të intensifikimit të sëmundjeve infektive, gjithmonë ndjek rekomandimet e institucioneve të tjera kompetente të shëndetit publik, d.m.th të Komisionit për sëmundje infektive. Në qoftë se merret vendim që të ndërpritet procesi mësimor përkohësisht ose nëse ndërkohë ndërmarrim ndonjë masë tjetër do ta informojmë opinionin në kohë”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Përndryshe, shumica e pacientëve janë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.

Nga komplikimet nga gripi javën e kaluar ndërroi jetë një vajzë 13-vjeçare, e cila sipas Klinikës së Fëmijëve, kishte sëmundje kronike dhe paralizë cerebrale.

Epidemi e gripit është shpallur tashmë në Serbi për shkak të numrit të madh të personave të prekur nga gripi.