Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka bërë një vizitë të befasishme në Ukrainë, duke vizituar Buçën, ku forcat ruse akuzohen se kanë kryer krime lufte, përpara se të tërhiqeshin në prill nga kjo qytezë në afërsi të Kievit.
Disa media ndërkombëtare raportuan se kjo vizitë po realizohet më 10 maj, që përbën vizitën e parë të një ministri të Qeverisë gjermane në Kiev, qëkur Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.
Tërheqja e trupave ruse nga Buça dhe qytete të tjera afër Kievit, zbuloi dëshmi të tmerrshme të vrasjeve brutale, torturave, varrezave masive dhe shënjestrim të civilëve gjatë luftimeve. Këto dëshmi shtuan thirrjet nga disa shtete, por edhe nga Kombet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale për hetime, për të përcaktuar nëse janë kryer krime të luftës.
Policia ukrainase ka thënë se shumica e civilëve të vrarë në Buça, u vranë me armë zjarri. Disa prej viktimave, sipas policisë, kishin duart e lidhura pas shpine.
Autoritetet ruse pretendojnë se forcat ruse nuk kanë sulmuar civilët në Ukrainë dhe kanë thënë se videot nga Buça, ku duken trupat e civilëve të shtrirë nëpër rrugë, janë të falsifikuara për të justifikuar sanksionet e reja perëndimore dhe për të penguar bisedimet e paqes.




