Lapidari i UÇK-së në Sllupçan, reagon Stojançe Angellov

Stojançe Angellov ka reaguar përmes një shkrimi pas përurimit të kullës përkujtimore për nder të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Sllupçan, përcjell TV21. Angellov thotë se si ish pjesëtarë në konfliktin e vitit 2001 bën apel që mos të krijohen tensione ndëretnike, gjegjësisht që secila palë t’i nderojë viktimat e veta nga konflikti.

“Prandaj, ju bëj thirrje që të mos ngrihet tension i panevojshëm ndëretnik për monumentin e ri të UÇK-së, sepse unë, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në mbrojtjen e Maqedonisë në vitin 2001, më mbetet vetëm t’i përgëzoj trashëgimtarët e UÇK-BDI-së, për respektin që tregojnë ndaj viktimave nga radhët e tyre. Ata le të nderojnë të vetët, ne le t’i nderojmë të vdekurit tanë dhe le të bëjmë më të mirën të gjithë së bashku në Maqedoni që të mos ndodhë më kurrë lufta dhe më në fund të mbizotërojë paqja e plotë ndëretnike”, ka shkruar mes tjerash Angellov.