Kryeministri Dimitar Kovaçevski është sqaruar në lidhje me deklaratën e djeshme ku thotë se pas rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë “ka bazë për ndryshime kushtetuese” për heqjen e 20% që i destinohet përdorimit të gjuhëve, transmeton TV21.
Në Klinikën e Fëmijëve, Kovaçevski i pyetur se a do të thotë kjo se gjuha shqipe do të barazohet me gjuhën maqedonase, tha se këtë do ta komentojë kur do të fillojë procedura.
Kujtoi se për këtë duhet të ketë konsensus nacional.
Megjithatë shtoi se është legjitime që të fillojë procedura për ndryshime kushtetuese.
“Kushtetuta ndryshohet në përputhje me procedurën kushtetuese dhe këtë mund ta komentojmë vetëm kur do të hapet diçka e tillë. Për këtë është e nevojshme shumicë prej 2/3 në Kuvend, që do të thotë se duhet konsensus nacional. Unë edhe dje u përgjigja në këtë pyetje – dhe ajo është se të gjithë qytetarët duhet në këtë shtet të kenë bazë që të mund të përparojnë në planin privat dhe profesional dhe e dyta – ne në shtet, por edhe në Evropë kemi dispozita ligjore ku në piedestal janë ngritur të drejtat e komuniteteve më të vogla, pasi një pjesë e madhe e tyre janë të përfshirë në Kushtetutë dhe gjithashtu kemi Ministri për Sistem Politik e Ligj për përdorimin e gjuhëve për komunitetet më të vogla. Sa i takon ndryshimeve kushtetuese, është legjitime të fillojnë procedurat për ndryshime kushtetuese. Duke u përfshirë të gjitha partitë politike dhe ekspertë, besoj se do të gjendet zgjidhje në dobi të të gjithë qytetarëve në shtet”, tha Kovaçevski./TV21




