Jamie Carragher e ka akuzuar Romelu Lukakun si njërin ndër fajtorët më të mëdhënj për humbjen e Chelseas ndaj Real Madridit.
“Blutë” humbën 3-1 në “Stamford Bridge”, çka ua vështirëson jo pak gjasat për kalim në gjysmëfinale të kompeticionit.
Sipas ish-mbrojtësit të Liverpool, për këtë disfatë nuk është faji te trajneri, por te Lukaku i cili shpërdoroi një shans të artë për ta kthyer në lojë skuadrën e tij, teksa po humbiste 3-1.
“Nuk është faji te trajneri, është te Lukaku. Ju keni shpenzuar 100 milionë funte për një lojtar dhe prisni që në kësolloj ndeshjesh të bëjë më shumë”, tha fillimisht ai.
“Unë mendoj se ai është më poshtë se sulmuesit më të mirë në botë. Nëse ia shikoni rekordet, janë thjesht fantastike, por golat e tij janë ndaj ekipeve të vogla. Ai është një lojtar i mirë, por, krahasuar me Benzema, Lewandowski e Kane, ai është më poshtë” , u shpreh ai, shkruan lajmi.net.
Përkundër që u ble nga Inter me shumë bujë, Lukaku ende nuk e ka gjetur formën e tij ideale me “blutë”. Lojtari vazhdon të çalojë sa i përket shënimit të golave, gjë që e bënte pa ndonjë problem të madh tek Inter.




