LSDM: Mickoski në Hungari, për instruksione dhe detyra të reja nga shefin i tij Nikolla Gruevski

Nga LSDM kanë reaguar pas vizitës së sotme të kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në Hungari, përcjell TV21. Nga LSDM hedhin dyshimet se Mickoski ka shkuar në Hungari për të vizituar ish kryeministrin Nikolla Gruevski.

“Hristijan Mickoski padyshim që ka shkuar për instruksione dhe detyra të reja te shefi i tij, krimineli i dënuar e i arratisur, Nikolla Gruevski. A ia ka treguar Gruevski “strategjinë” për rastin “Parcelat në Vodno” në të cilin akuzohet se ka kryer keqpërdorime me qëllim të marrjes së pasurisë së madhe në Shkup? Edhe një herë doli se agjenda e vetme e Hristijan Mickoskit është mbrojtja e krimit të Nikolla Gruevskit. Prandaj këto ditë deputetët e VMRO-DPMNE-së në Kuvend po e bllokojnë Ligjin për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thonë nga LSDM.

Ndryshe, Mickoski mbrëmjen e sotme njoftoi se bashkë me nënkryetarin e partisë Aleksandar Nikolloski janë në Hungari me ftesë të kryeministrit hungarez Viktor Orban, dhe se janë në pritje të rezultateve nga zgjedhjet e sotme.