Rusia lëshon pe, pranon anëtarësimin e Ukrainës në BE nëse heq dorë nga NATO-ja

Pushtimi rus në Ukrainë ka hyrë në ditën e 34-t. Mijëra civilë, në mesin e tyre shumë fëmijë, janë vrarë deri tani si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të forcave ruse në shumë qytete
10:14 – Abramovichi pjesëmarrës në bisedimet Ukrainë-Rusi në Stamboll

Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, është parë të martën në sallën ku po zhvillohen bisedimet e reja mes Ukrainës e Rusisë, me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan në Stamboll.

Miliarderi, i cili është një nga oligarkët rusë të sanksionuar nga Perëndimi për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, është parë me delegacionet e të dy shteteve.

Kremlini ka deklaruar se Abramovichi ka luajtur një rol në bisedimet e paqes mirëpo procesi tani është në duart e dy ekipeve negociatore.

Prania e tij në rundin e ri të bisedimeve vjen një ditë pasi Wall Street Journal kishte shkruar se Abramovichi dhe negociatorët ukrainas janë helmuar gjatë bisedimeve në fillim të këtij muaji.

Derisa ka nisur rundi i ri i bisedimeve Ukrainë-Rusi me ndërmjetësimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan të martën në Stamboll, raporte të reja thonë se Rusia po zvogëlon synimet e saj dhe se është e gatshme të bëjë dy lëshime të mëdha, shkruan të martën “The Financial Times”.

Katër persona të informuar mbi bisedimet në vazhdim i kanë thënë gazetës se Kremlini ishte i gatshëm të lejojë Kievin të anëtarësohet në Bashkimin Evropian me kushtin që të braktisë përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO.

Po ashtu, thirrja që Ukraina të “denazifikohet” – që kuptohet gjerësisht si kod për ndryshimin e regjimit në Kiev, është hequr nga “fjalori zyrtar” i Rusisë si pjesë e negociatave të armëpushimit, kanë thënë të njëjtat burime.

Tashmë janë zhvilluar disa raunde bisedimesh në kufirin me Bjellorusinë si dhe në Turqi, por ende nuk ka asnjë marrëveshje për armëpushim të paktën.

Në Stamboll kanë nisur bisedimet e reja mes palës ukrainase dhe asaj ruse, me ndërmjetësimin e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Në hapje të bisedimeve, të martën në mëngjes, Erdogan ka thënë se paqja nuk do të ketë humbës dhe se vazhdimi i konfliktit nuk i sjell dobi askujt.

“Në një moment kaq kritik, ne jemi të kënaqur t’ju mirëpresim dhe të kontribuojmë në përpjekjet tuaja për të vendosur paqen. Uroj që takimet dhe diskutimet tona të jenë të favorshme për vendet tuaja, rajonin tonë dhe mbarë njerëzimin”, ka thënë Erdogan.

Ai ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm, duke thënë se ndalimi i tragjedisë varet nga të dyja palët.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, janë “miq të vlefshëm” të tij.

Këtë deklaratë Erdogani e ka bërë të martën, në hapje të rundit të ri të bisedimeve Ukrainë – Rusi, që ka nisur në Stamboll. Lideri turk u ka thënë gjithashtu ekipeve ruse dhe ukrainase se të dyja palët kanë “shqetësime legjitime”, por se është arritur një moment kur bisedimet duhet të japin “rezultate konkrete”.

Ai ka thënë se përparimi në bisedime do të hapte rrugën për takimin e udhëheqësve dhe se Turqia mund t’i presë ata gjithashtu.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar vlerësimin e saj të përditshëm të luftimeve në Ukrainë, raportoi BBC-ja të martën.

Përmes një njoftimi ka thënë se forcat ukrainase kanë kryer kundërsulme të lokalizuara në veriperëndim të Kievit, duke shtuar se ka pasur forca ruse që janë tërhequr nga një numër pozicionesh.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka paralajmëruar zyrtarët të mos hanë ose pinë kur janë duke negociuar me Rusinë, raporton Sky News të martën.

Delegacioni ukrainas ka mbërritur në Stamboll për bisedimet e paqes me atë rus, ka raportuar të martën BBC-ja.

Delegacioni udhëhiqet nga ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov si dhe Mikhail Podolyak, kreu i zyrës së presidentit, Volodymyr Zelensky.

Delegacioni ukrainas ka thënë se synimi kryesor është sigurimi i një armëpushimi, megjithëse ka skepticizëm nëse kjo mund të ndodhë.

Bisedimet ballë për ballë, të parat në më shumë se dy javë, do të ndërmjetësohen nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Takimi është planifikuar të fillojë në orën 10:00 të martën, sipas kohës lokale.

Rusia po kërkon që Ukraina të braktisë çdo synim për t’u bashkuar me NATO-n – një çështje për të cilën presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se është i gatshëm të bëjë kompromis.

Çështje të tjera të mprehta që priten të diskutohen përfshijnë fatin e rajoneve të kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës, si dhe statusin e Krimesë, e cila u aneksua nga Rusia në 2014.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të hënën në mbrëmje se trupat e vendit po rifitojnë territorin përreth kryeqytetit dhe po i shtyjnë trupat ruse larg tij, raporton Sky News.

Zelensky gjithashtu ka njoftuar për “çlirimin” e Irpinit, një qytet kyç në skajin veriperëndimor të Kievit.

“Mbrojtësit tanë po përparojnë në rajonin e Kievit, duke rifituar kontrollin mbi territorin ukrainas”, ka thënë ai. “Irpin u çlirua. Bravo! U jam mirënjohës të gjithëve që punuan për këtë rezultat. Pushtuesit janë larguar nga Irpini. Të shtyrë nga Kievi. Megjithatë, është shumë herët të flasim për sigurinë në këtë pjesë të rajonit tonë. Luftimet vazhdojnë”.

Zelensky ka thënë se trupat ruse kontrollojnë veriun e Kievit dhe do të vazhdojnë sulmet e tyre edhe pse tashmë janë “qindra njësi të pajisjeve të armikut të djegura dhe të braktisura”.

“Rajonet e Chernihiv, Sumy, Kharkiv, Donbas, Ukraina jugore – situata kudo mbetet e tensionuar, shumë e vështirë”, ka deklaruar ai.

Zelensky ka thënë se Mariupoli, i konsideruar nga shumë njerëz si qyteti më i prekur, mbetet i rrethuar.

“Trupat ruse nuk lejuan që sot të organizohej asnjë korridor humanitar”, ka thënë ai.

Një zyrtar ka thënë se vetëm 586 persona ia dolën të ikin nga qyteti të hënën, derisa Ukraina ka akuzuar vazhdimisht Rusinë se nuk po i lejon njerëzit të evakuohen.

Rusia do të përdorë armë bërthamore vetëm nëse do të kishte një kërcënim për ekzistencën e vendit, dhe jo si rezultat i luftës së vazhdueshme në Ukrainë, ka thënë të hënën në një intervistë për PBS Newshour, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, raporton CNN.

“Çdo rezultat i operacionit në Ukrainë, natyrisht, nuk është një arsye për përdorimin e një arme bërthamore. Ne kemi një koncept sigurie që thotë shumë qartë se vetëm kur ekziston një kërcënim për ekzistencën e shtetit, në vendin tonë, ne mund të përdorim dhe do të përdorim armët bërthamore për të eliminuar kërcënimin për ekzistencën e vendit tonë”, ka thënë Peskov.

Kur u pyet për komentet e presidentit amerikan Joe Biden që e quajti Vladimir Putinin një “kasap” dhe deklaroi se presidenti rus nuk duhet të mbetet më në pushtet, Peskov ka thënë se kjo është alarmante.

“Është fyerje personale. Sigurisht, është krejtësisht e papranueshme. Nuk i takon presidentit të Shteteve të Bashkuara të vendosë se kush do të jetë dhe kush është president i Federatës Ruse”, është shprehur ai.

Në një fjalim në Poloni të shtunën, Bideni bëri një koment të improvizuar duke thënë për homologun e tij rus se ai nuk duhet të qëndrojë më tutje në pushtet.

“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, ka deklaruar Bideni në Poloni.

SHBA-ja zyrtarisht deklaroi javën e kaluar se forcat ruse kishin kryer krime lufte në Ukrainë. Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka nisur gjithashtu një hetim për pushtimin.