Presidenti kinez zhvillon bisedë telefonike me kryeministrin britanik

Presidenti kinez Xi Jinping bëri të premten një bisedë telefonike me kryeministrin britanik Boris Johnson.

Xi vuri në dukje se ky vit shënon 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në rang ambasadorësh ndërmjet Kinës e Britanisë. Në këta 50 vjet, marrëdhëniet kino-britanike janë zhvilluar në përgjithësi në mënyrë të pandërprerë, me gjithë disa vështirësi. Vëllimi i përgjithshëm tregtar ndërmjet dy vendeve është shtuar nga 300 milionë dollarë në mbi 100 miliardë dollarë. Vitin e kaluar, tregtia dypalëshe shënoi një rekord të ri dhe investimet kineze në Britaninë e Madhe u shtuan dy herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Presidenti kinez theksoi më tej se Kina dhe Britania e Madhe kanë kushte të ndryshme kombëtare dhe rrugë të ndryshme zhvillimi. Të dy palët duhet të synojnë zhvillimin strategjik afatgjatë.

Boris Johnson u shpreh nga ana e tij se marrëdhëniet britaniko-kineze janë shumë të rëndësishme. Vëllimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve është shtuar shumë shpejt. Pala britanike dëshiron të zhvillojë dialogun e sinqertë me palën kineze mbi shumë çështje ndërkombëtare.

Dy udhëheqësit shkëmbyen mendime edhe për situatën në Ukrainë.

Xi Jinping-u shpjegoi parimet dhe qëndrimin e palës kineze dhe theksoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të nxitë bisedimet paqësore dhe të krijojë kushte për zgjidhjen e problemit të Ukrainës me mjete politike, duke nxitur rikthimin e shpejtë të paqes në Ukrainë. Pala kineze dëshiron të vazhdojë rolin konstruktiv për këtë gjë, tha ai. (Xu Guang)