Lufta në Ukrainë, Sela: Rusia – agresion ndaj botës demokratike (Video)

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, vlerëson se lufta në Ukrainë është agression që i ka shpallur Rusia shteteve demokratike, shkruan gazeta LAJM.

“Është agresion ndaj botës demokratike që bëhet nga vendi që është personifikim i oligarkisë, diktaturës dhe totalitarizmit i përkrahur nga ato pak vende që punojnë me të njejtën mendësi, mes të cilave edhe Serbia. Natyrisht që mendoj që përsëri njerëzia dhe humaniteti, liria dhe demokraticia do të ngadhënjejnë. Kuptohet që situata duhet ndjekur me kujdes. Është edhe një sinjal në lidhje me shumë aktorë politikë për turrin që bënë për Ballkanin e Hapur. Unë ju kam bërë apel deputetëve shqiptarë që të mendojnë se cfarë votojnë nëse votoni një program qeverisës ku është edhe Ballkani i Hapur. U dëshmua shumë shpejtë që Ballkani i Hapur ishte një “Kalë Troje” përmes të cilit Rusia përmes Serbisë do të ulej këtu në Ballkan. Natyrisht, Ballkani sa herë që bëhet fjalë për Rusinë duhet të jetë vigjilent dhe i shqetësuar sepse e kaluara ka treguar se cdo herë kusuritjet e veta në lidhje me paqen dhe bisedimet që i ka bërë Rusia i ka bërë që t’i realizojë këtu në Ballkan”, tha kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.