Ditmir Bushati kap “trenin”! Merr fund “lufta” mes tij dhe Ramës

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Dibër për të prezantuar nismën e tij të Këshillimit Kombëtar me qytetarët. Të paktën kështu pretendoi në fillim, por pas disa minutash tregoi dhe arsyen e tij të vërtetë, zhvillimin e fushatës në Dibër, një nga bashkitë që ka mbetur pa kryetar, por që duhet të zgjedhë sërish më 6 mars. Edhe në Dibër, njëjtë si në Durrës, Rama kishte me vet eish-ministrin e Jashtëm dhe një nga kritikët e tij më të mëdhenj brenda Partisë Socialiste, Ditmir Bushatin.

“Tani Ditmiri erdhi pasi po prisja që të vinte pasi bashkë me të po organizojmë, ose më saktë ai po organizon punën e rrjetit të akademisë së Partisë Socialiste dhe ky takim është në vazhdën e takimeve me të rinjtë. Kemi bërë dhe takime, si dhe ai i Durrësit, sepse jemi dhe për një gjë konkrete. Për të votuar Rrahimin (Spahiu) më datë 6 (mars),”-tha Rama teksa prezantonte Bushatin para të rinjve dhe socialistëve të tjera, duke lënë të kuptohet se mes tyre është vendosur “paqe”.

Përgjatë dy viteve të fundit, pak pas largimit të Bushatit nga posti i ministrit, mes tyre pati konflikte publike, ndërsa Rama e përjashtoi edhe nga lista e deputetëve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Teksa prezantonte kandidatët, i nxitur edhe nga pyetjet e gazetarëve Rama tha se Bushati se ka zbritur nga treni që kur iku nga ministria dhe se në vend që të fliste duhej të punonte më shumë. Duke pretenduar gjithashtu se Bushati e kishte harruar Shkodrën, qytet që ishte lënë në “dorën e tij”.

“Bushati është bërë ministër sepse e ka bërë PS. Shokët e Bushatit sot janë tek kufiri, jo sepse nuk kanë bërë debate me mua por sepse përveç punës si ministrave, kanë punuar tokën. Kanë punuar tokën. Kanë mbjellë dhe kultivuar në terren. Ndërsa Bushati ditën e parë që u ndryshua si drejtues i Shkodrës ka zbritur nga treni dhe nuk është shfaqur më në asnjë aktivitet që nuk janë puna juaj. Bushati është një investimet më të rëndësishme. E ndjej si njeriun tim. Shpresoj ta kapë trenin prapa,”- thoshte Rama.

E mesa duket kështu ka ndodhur! Bushati paska kapur “trenin” pasi në Asamblenë Kombëtare, Rama i la në dorëzim grupin e punës për akademinë politike. Bashkë me të, bashkëpunojnë edhe profesori Servet Pëllumbi; Et’hem Ruka, Lindita Nikolla dhe Arbjan Mazniku.