Kovaçevski: RMV mbështet të gjitha format e dialogut Kosovë-Serbi

Në margjinat e Konferencës së sigurisë në Munih të Gjermanisë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski është takuar me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, transmeton TV21.

Siç bëjnë të ditur nga shërbimi qeveritar, krahas për procesin eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, në takim është biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal, iniciativën “Ballkani i Hapur” dhe dialogun Kosovë – Serbi.

Në këtë drejtim, Kovaçevski ka bërë të qartë se vendi ynë është për të gjitha format e dialogut.

“Në kontekst rajonal, kryeministri Kovaçevski potencoi se Maqedonia e Veriut i mbështet të gjitha format e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, kurse shprehu mbështetje për sovranitetin dhe integritetin territorial për stabilitet dhe siguri në Bosnje e Hercegovinë, në përputhje me Marrëveshjen e paqes së Dejtonit”, qëndron në kumtesën e Qeverisë./TV21