Ndërron jetë në moshën 39 vjeçare ish-hendbollisti Valbon Shala

Ka vdekur në moshën 39 vjeçare ish-hendbollisti Valbon Shala.

Valbon Shala ka luajtur shumë gjatë për skuadrën e vendlindjes, Besën e Pejës. Me Besën ka fituar shumë tituj të kampionit Kupa të Kosovës, ndërsa ka luajtur me sukses edhe në skenën evropiane. Është shquar për angazhimin e madh dhe luftën sportive për ngjyrat e skuadrës së qytetit. Ai ishte pjesë e Besa Famiglia në debutimin evropian, në vitin 2005. Ka luajtur në garat evropiane deri në vitin 2012.

Valboni ka luajtur në pozitën e pivotit, ku është shquar me paraqitje. Karrierë ka bërë edhe në disa skuadra tjera të vendit, si Vëllaznimi e Vushtrria, ndërsa ishte pjesë e rëndësishme e Kombëtares së Kosovës. Në vitet e fundit, ai bërë karrierë edhe në Gjermani.

Në emër të Federatës së Hendbollit të Kosovës, familjen Shala e ka ngushëlluar presidenti Eugen Saraçini, njofton Klankosova.tv.

“Mbetëm të shokuar kur na njoftuan për ndarjen nga jeta të Valbonit, një djaloshi të dashur nga të gjithë ne. Kontributi i tij për hendbollin pejan, por edhe për hendbollin kosovar në përgjithësi, do të kujtohet gjithnjë. Klubi Besa Famgas, Peja si qytet, komuniteti i hendbollit pejan dhe kosovar në përgjithësi, sot kanë mbetur pa një lojtar që me paraqitjet e tij ishte shembull për të tjerët. U shprehim ngushëllimet më të sinqerta në emër të gjithë familjes së hendbollit kosovar”, ka shkruar presidenti Saraçini.