Kurti: Do të investojmë në zhvillimin e aviacionit ushtarak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot pritën në takim tre pilotët e Kompanisë së Helikopterëve të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, toger Afrim Zabelin, toger Krenar Vocën dhe toger Atdhe Hasanin.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se në takim ishin edhe i specializuari për monitorim dhe orientim ajror, nëntoger Sunaj Shalën, dhe dy inxhinierë të helikopterit, rreshter Behar Zeqirin dhe rreshter Labinot Gashin, transmeton Klankosova.tv.

Kurti i falënderoi ata për kontributin dhe rolin që kanë pasur deri tani dhe që do ta kenë edhe në të ardhmen në avancimin e Kompanisë së Helikopterëve të FSK-së.

Ai theksoi se ushtria e Kosovës është në fillet e gjinisë së aviacionit dhe se avancimin e shohin të rëndësishëm edhe për nevoja ushtarake, por edhe për ato shtetërore.

“Shkollimi dhe pajisjet janë të rëndësishme, dhe do të investojmë si shtet në të dyja”, shtoi ai.

Pilotët i treguan kryeministrit për shkollimin që kanë kryer, për sfidat që kanë pasur e që i kanë.

Tre pilotët janë specializuar në Akademinë Ushtarake në Turqi, ashtu sikurse edhe dy inxhinierët e helikopterit, ndërsa nëntogeri Shala ka specializuar për monitorim, orientim, udhëzim e radar në Akademinë Ushtarake të Kroacisë “Dr.Franjo Tugjman”.