Protagonisti në video-kasetën e Kim Kardashianit, Ray J takohet me Donald Trumpin ndërsa tregon aspiratat e tij politike

Reperi, sipërmarrësi dhe ish-i dashuri i Kim Kardashianit, Ray J, kaloi një pasdite me ish-presidentin Donald Trump në selinë e tij në resortin “Mar-a-Lago” këtë javë, sipas fotografive të publikuara në rrjetet sociale.

Takimi u organizua nga pastori Darrell Scott, një anëtar i ekipit ekzekutiv të tranzicionit të Trumpit, i cili publikoi imazhet, shkruan DailyMail.

Ai tha se ata shkuan në resortin e ish-presidentit në Florida për të diskutuar temat për biznesin, teknologjinë dhe fuqizimin e njerëzve me ngjyrë.

Trump, 75 vjeç, dhe ylli i “Love & Hip Hop: Hollywood” kanë një takim pasues të organizuar për të diskutuar se si t’i vënë planet në veprim, thuhet sipas New York Post.

Ray J i tha gazetës: “Unë gjithmonë e kam admiruar dhe respektuar mendjemprehtësinë e tij të biznesit”.

“Biseda jonë ishte për krijimin e vendeve të punës, inkurajimin e zhvillimit të biznesit të vogël dhe sesi teknologjia e informacionit luan një rol të rëndësishëm në të ardhmen e ekonomisë sonë”.

“Ne gjithashtu pajtohemi se sa e rëndësishme është një fuqi punëtore e arsimuar, si dhe nevoja kritike për zhvillimin e të rinjve”.

Nuk është hera e parë që ai takohet me ish-presidentin Trump.

Vitin e kaluar ai u detyrua të mohonte thashethemet se po fliste me presidentin e atëhershëm për të kërkuar faljen ndaj reperit Suge Knight, i cili është i dënuar me 28 vjet burg për vrasje nga pakujdesia pasi kishte përplasur dy burra në një udhëtim me furgon transportues të ushqimit të shpejtë.

Në të njëjtën intervistë ai la të kuptohet për aspiratat politike – ose të paktën të angazhohet në procesin politik.

“Është padyshim një lloj tjetër zgjedhjesh që vijnë”, tha ai për Revistën Variety në janar të vitit 2020.