Dyert e gjinekologjisë në Shuto Orizarë ka një muaj që janë të mbyllura ndërsa rreth 13 mijë gra mbetën pa gjinekolog amë transmeton KlanM.Mjeku Bozhidar Boshkovski vetëm gjashtë muaj ka qenë i punësuar në poliklinikë, ndërsa nga 14 Dhjetori është larguar për shkak të pensionimit.
“Po e kanë mbyllur. Nuk e di çfarë do të bëjmë. Këtë duhet ta dijë Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë. Le të kujdesen edhe për romët.
Ku do të shkoni tash në gjinekolog?
Në privat do të shkojmë.
A është shtrenjtë?
Po normalisht se është më shtrenjtë”.
Salija Bekir Halim nga iniciativa joformale “Të drejtat e grave nga Shuto Orizarja” për tv KlanM thotë se për çdo ditë gratë vijnë për të shprehur nevojën e tyre për gjinekolog.
SALIJA BEKIR HALIM – “TË DREJTAT E GRAVE NGA SHUTO ORIZARE”
“Gratë nga Shuto Orizarja janë lënë në mëshirën e fatit. Më shqetësuese është ajo që jemi në mes të pandemisë dhe prej kësaj krijohen probleme të tjera, shpenzime shtesë që gratë nuk mund t’i paguajnë dhe në këtë mënyrë nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre për kontrollë”.
Ajo shton se numri më i madh i lehonave që kanë ndërruar jetë, janë pikërisht nga Shuto Orizarja raporton KlanM.
SALIJA BEKIR HALIM
“Në gjashtë muajt e fundit nga Shuto Orizarja kanë vdekur dy lehona dhe kjo vjen për shkak të mungesës së një gjinekologu amë në këtë komunë. Prej këtu shtrohet pyetja vallë kjo komunë do të ketë vetëm përkohësisht gjinekolog që do të vijnë dhe do të shkojnë, apo institucionet tona Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurim Shëndetësor do të bëjnë hapa serioz për të zgjidhur këtë problem në mënyre sistematike”.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se gjinekologun duhet të gjejë vetë poliklinika ndërsa Ministria e Shëndetësisë në periudhën e kaluar ka bërë përpjekje maksimale për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në komunën e Shuto Orizarit.
MINISTRIA E SHËNDETËSISË
“Shpalljet për punësim i bën Instituti për Shëndet Publik dhe nuk shpallen nga Ministria e Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë në periudhën e kaluar ka bërë përpjekje maksimale për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Komunën e Shuto Orizares. Vitin e kaluar Ministria e Shëndetësisë me aparaturat më moderne, ka pajisur plotësisht ordinancën gjinekologjike në Poliklinikën e kësaj komune”
Nga nisma “Të drejtat e grave” nga Shuto Orizarja kërkojnë që Ministri i ardhshëm Bekim Sali të gjejë zgjidhje afatgjate pasi që shëndeti i grave dhe i fëmijëve të kësaj komune është vënë në rrezik./KlanMacedonia/