Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë dje i ka dorëzuar Kuvendit dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale propozimin për miratimin e ligjit që paga minimale të jetë 18.000 denarë.
Sindikatat kërkojnë që shuma e pagës minimale të mos jetë më e ulët se 60 për qind e pagës mesatare mujore neto në tre muajt e fundit, përcjell INA.
Kërkesat e tilla sindikata i kërkon prej kohësh, ndërsa si argumente për rritjen e pagës minimale janë shpenzimet e rritura të jetesës dhe njoftimet për rritje të çmimit të rrymës pas Vitit të Ri.
“Kemi pasur rritje enorme të ushqimit, higjienës dhe derivateve dhe në bazë të kalkulimeve tona dhe synimit tonë, paga minimale duhet të jetë 60 për qind e pagës mesatare të paguar. Kemi bërë një llogaritje që ka treguar se paga minimale duhet të jetë 18.000 denarë”, tha për MIA-n, sekretari i përgjithshëm i LSM-së, Zlatko Cvetkovski.
Ai shton se punëtorët duhet të ndihmohen që të mund të plotësojnë më lehtë nevojat e tyre elementare mujore, duke qenë se pas Vitit të Ri pritet të rritet çmimi i energjisë elektrike, ndërsa çmimet e ngrira të produkteve ushqimore janë të vlefshme deri më 31 janar.(INA)