Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ambasadorja e SHBA-së në Shkup Kejt Meri Bërns sot kanë përuruar objektin e rinovuar të policisë në “Gjorqe Petrov”, shkruna TV21. Objekti është rinovuar me donacion nga SHBA prej 475 mijë dollarëve, ndërsa do të shërbejë për pjesëtarët e njësitit special për luftë kundër substancave narkotike.
“Kapacitetet trajnuese që shohim sot këtu do të mbështesin Maqedoninë e Veriut në programin e brendshëm të trajnimit, por edhe bashkëpunimin rajonal me fqinjtë dhe partnerët në rajonin e Ballkanit”, tha mes tjerash Bërns.
“Njësitet Speciale të Policisë në Qendrën e Policisë në “Gjorqe Petrov” kanë fituar një objekt të rinovuar dhe modern për akomodimin e zyrtarëve policorë në shtetin tonë, por edhe në të gjithë rajonin, të cilët marrin pjesë në trajnime dhe ushtrime luftë të organizuar kundër tregtisë së jashtëligjshme me narkotikë”, tha Spasovski.
Ndryshe, përveç objektit të rinovuar, SHBA-të kanë dhuruar edhe një automjet ushtarak mjekësorë.