Devolucioni!

Shkruan: Medai Shaholli

Një pjesë e shoqërisë shqiptare në ‘dërzhavën tonë të dashur Severna’ në vend të evoluojë për së mbari ajo ka zgjedhur të kundërtën për të ecur përpra në një zhvillim tjetër historiko-biologjik të ecjes së prapthi përmes devolucionit në dele popull!

Ata janë një pjesë e privilegjuar e shoqërisë e lidhur me subjektet politike që shajnë me libër shtëpie kundërshtarët politik se kanë bërë koalicion me ‘maqedoncat’ që kanë bërë votat bashkë kundër tyre por ama edhe këta ishin me ‘maqedoncat’ të tjerë për t’i mposhtur ata.

Të dya palët e shoqërisë sonë si pozita edhe opozita akuzojnë njëra -tjetrën për papërgjegjshmëri dhe subjekte që nuk kanë dashur të çajnë përpara qëllimisht dhe të kapërcejnë barrierat e pushtetit që bllokojnë çështjen e shqiptare.
Kurse në fakt ato barriera të pakapërcyeshme kanë qënë dhe janë vendosur me miratimin edhe të subjekteve politike shqiptare papërjashtim.

Një nga këto barriera të betonuara nga pushteti dhe opozita janë ndryshimet kushtetuese, ku shqiptarët gëzojnë me turp emrin përbuzës dhe shoven të 20%, me miratimin e subjekteve politike shqiptare.

Kësisoj, delet e babëzitura të devolucionit, të papërgjegjshëm se çfarë po nënshkruanin, qëndisën në kushtetutën e Zajko sharlatanit një përkufizim denigrues dhe përbuzës ndaj shqiptarëve epitetin e turpshëm dhe racist të shifrës së 20%!

A thua se janë aq injorante subjektet politike shqiptare kur pranojnë të nënshkruajnë në kushtetutë një përkufizim shoven dhe përbuzës të quhen si bashkësi fisesh endacakë e nomadë pa identitet apo para se
të formohen ata kanë bërë një betim-deklarim se nuk do të kërkojnë kurrën e kurrës një status të barabartë të shqiptarëve me ‘maqedoncat’!

Mendjet e shëndosha nuk mund ta pranojnë këtë përkufizim shoven për popullin e tyre ku shumica e tyre duhet të jenë ose analfabetë ose të shitur, pasi asgjëkundi në Ballkan nuk gjen një popull që të pranojë të quhet bashkësi shifrash dhe jo popull me identitet në kushtetutën e vendit të tij.

Qëndrim i intelektualëve shqiptarë në këto tri dekada të zhvillimeve politike ka qënë pasiv dhe hezitues dhe se kulmi i tragjedisë sonë ka qënë dhe mbetet heshtja dhe mosreagimi i miratimit të epitetit përbuzës të 20%.

Ahere, çfarë mund të themi për evolucinin e një shoqërie që pranon të njolloset identiteti gjuhësor dhe kombëtar në kushtetutën e vendit?
Ajo nuk ka dyshim se po shkon drejt regresit dhe devolucionit.

Ky është devolucioni i shoqërisë sonë që për dalzotës ka subjekte politike shqiptare që po ndjekin zhvillimin e kundërt të rrotës së historisë humane.