Si kaloi doganën autobusi pa licencë?! Huseini: Tabela e regjistrimit e këtij autobusi nuk ekziston

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Transportit, Rufat Huseini në ClickPlus në TV21 ka nxjerrë një të dhënë të re të padëgjuar deri më tani për sa i takon regjistrimit të autobusit të aksidentuar të kompanisë “Besa trans” Shkup.

Huseini tha se nga Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar 58 raporte për moszbatimin e masave anti-Covid te autobusi që u konstatua se nuk ka certifikatë të licencës. Në raporte janë regjistruar targa, që sipas Huseinit, të njëjta targa nuk ekzistojnë.

Gazetari: Ai autobusi a është i paregjistruar?

“Tani ka kaluar pikën kufitare mbi 130 herë. Unë, kam pranuar 58 raporte prej Ministrisë së Punëve të Brendshme prej Deve Bair dhe janë të gjitha të regjistruara tabelat e automjeteve. Edhe unë e kam këtë tabelë të regjistrimit. Por, por nuk është ky autobus. Tabela e regjistrimit e këtij autobusi nuk ekziston”, tha Rufat Huseini, Inspektorati Shtetëror i Transportit .

Drejtori i Inspektoratit të transportit shprehet i habitur se si ka lejuar Drejtoria e Doganave autobusin e “Besa trans” Shkup të kalojë kufirin pa licencë.

Ai tha se Doganat e kanë obligim ligjor të njoftojnë Inspektoratin se autobusi në fjalë nuk ka licencë dhe se nuk është dashur të lejojnë kalimin e tij.

“Unë nuk jam përgjegjës për këtë që bisedohet se e ka kaluar 130 herë kufirin dhe nuk është regjistruar asnjëherë, edhe unë habitem. Edhe pse nuk kam marr njoftim nga Drejtoria e Doganave, se autobusi i X kompanisë e ka kaluar kufirin pa certifikatë të licencës, që e ka obligim ligjor të më njoftojë dhe e ka obligim ligjor të mos lejojë të kalojë kufirin, një gjë është e qartë – shumë e qartë – në qoftë se nuk ka certifikatë, nuk guxon ta kalojë kufirin”, theksoi Rufat Huseini, Inspektoratit Shtetëror i Transportit.

TV21 kërkoi përgjigje nga Ministria e Punëve të brendshme dhe Drejtoria e Doganave, por nuk morëm përgjigje. Kujtojmë se autobusi në fjalë u aksidentua më 23 nëntor në Bullgari teksa kthehej nga Turqia. Si pasojë, mori flakë dhe vdiqën 45 udhëtarë dhe u lënduan 7 të tjerë.

Huseini në ClickPlus tha se ata ende nuk kanë kryer kontrolle në kompaninë turistike.