Dorëhiqen ministrat e Besës, drejtorët mbetën! Hoxha: Për ata do të vendoset javën e ardhshme

Ministri dhe dy zëvendësministrat e Lëvizjes Besa shkuan në Qeveri për të deponuar dorëheqjen e tyre. Por përveç tyre Lëvizja BESA menaxhon edhe disa drejtori në vend. Në pyetjen se a do të japin të gjithë dorëheqje, Arjanit Hoxha, tha se kjo do të vendoset javën e ardhshme.

“Absolutisht organet e partisë do të duhet që në javën e ardhshme të mbajnë qëndrimin se si do të veprohet. Ky nuk është qëndrim personal i imi, është qëndrim i partisë. Gjithçka që ka ndodhur në këtë proces ka qenë qëndrim i dakordësuar ku kanë marrë pjesë udhëheqësia e ngushtë dhe të gjithë deputetët”, tha Arjanit Hoxha, Lëvizja Besa.

Hoxha shtoi se ky vendim për dorëheqje erdhi si pasojë e cenimit të demokracisë në vend me zgjedhjet lokale dhe në ngjarjet e djeshme.

“Unë jap dorëheqje nga pozita e ministrit, së bashku me dy zëvendës ministrat në Qeveri, pasi që nuk mund të identifikojmë veprimin tonë politik të Lëvizjes Besa me një partnerë koalicioni i cili po shihet qartë që përdorë çdo veprim jodemokratik me të vetmin qëllim mbetjen në pushtet, theksoi Arjanit Hoxha, Lëvizja Besa.

Bashkë me ministrin e Bujqësisë, Arjanit Hoxha dorëheqje dhanë edhe zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani si dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arafat Shabani.