Konsolidimi fiskal pritet të prolongohet, ndërsa borxhi publik dhe deficiti do të rriten – paralajmëron Komisioni evropian në parashikimet makroekonomike të vjeshtës për vendin tonë. Komisioni Evropian sot i publikoi parashikimet makroekonomike të vjeshtës për vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Parashikimet ekonomike të KE-së për Maqedoninë e Veriut – vjeshtë 2021, në një takim me gazetarë sot paradite në Shkup i prezantojë Frek Janmat, shef i departamentit ekonomik në Delegacionin e Bashkimit Evropian në vend. Komisioni Evropian I publikon parashikimet makroekonomike për BE-në, vendet e saj anëtare dhe vendet kandidate katër herë në vit, në pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër.
“Ne presim që konsolidimi fiskal të prolongohet. Qeveria planifikon të ulë deficitin financiar në 3.5% deri në vitin 2023, por vlerësojmë se mënyra se si pritet të arrihet kjo është mjaft e paqartë, sidomos me njoftimet për rritje të investimeve publike nga fondet buxhetore. Realizimi i plotë i këtij plani nuk ka shumë gjasa, duke pasur parasysh mos përmbushjen e planeve të tilla buxhetore në përgjithësi.”, tha Frek Janmat, shef i Departamentit Ekonomik në BE.






