Dy persona, me iniciale M.M. dhe V.S. mbrëmë janë arrestuar në aksion të MPB-së për shantazhim të një biznesmeni si pjesë e hetimit që e zbaton Prokuroria për krim të organizuar. Një prej tyre është i punësuar në Agjencinë për siguri nacionale ndërsa tjetri është një prej të amnistuarve për ngjarjet më 27 prill në Kuvend, i cili ishte akuzuar për kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë. Megjithatë, pastaj i njëjti ishte amnistuar për shkak se ka qenë në grupin e të akuzuarve të cilët nuk kanë marrë pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ngjarjet e dhunshme.
“Më 04.11.2021 nëpunës policorë nga Reparti për parandalim të krimit serioz dhe të organizuar në koordinim me Repartin për polici kriminalistike deri në PPTH Shkup, dorëzuan padi penale kundër M.M (32) dhe V.S (31). Kundër M.M për shkak të ekzistimit të bazës për dyshim për vepër të kryer penale “Mashtrim”, e cila ndëshkohet sipas nenit 247 paragraf 3 VV paragraf 1 nga Kodi penal, ndërsa kundër V.S për shkak të dyshimit për vepër të kryer penale “prezantim të rrejshëm”, e cila ndëshkohet sipas nenit 391 nga Kodi penal”, thonë nga MPB.
I denoncuari i parë M.M gjatë vitit 2020 dhe 2021 , me qëllim që të përvetësojë pronë në mënyrë joligjore, para personave të dëmtuar ka prezantuar fakte se gjoja ka pasur informacione sipas të cilave Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit udhëheq procedurë kundër disa personave fizikë dhe juridikë. Njëkohësisht, për ta bindur në saktësinë e pohimeve të tij, njërit prej të dyshuarve në atë procedurë i ka treguar Urdhër me përmbajtje të rrejshme që e ka bërë në kompjuterin e tij personal, për hapje të procedurës parahetimore nga ana e PPTH-së me çka e ka mashtruar personin e dëmtuar. Ai prej tij ka kërkuar shpërblim në para prej 75 mijë eurove.
M.M duke treguar gënjeshtra dhe manipulime, të dëmtuarit i ka marrë 5 mijë euro të cilët i ka marrë më 3 nëntor në takim në një objekt hotelierik në Shkup.
Edhe pse PPTH-ja Shkup kërkoi paraburgim për këta dy persona, pastaj për njërin prej tyre e ka tërhequr këtë propozim.
“Pas transferimit të të dy personave në Gjykatën penale në seancën ku duhej të sillej vendim për propozimin e dhënë, prokurori kompetent e tërhoqi propozimin për njërin person dhe propozoi masa për sigurimin e pranisë së tij”.
Prej atje shtojnë se për të dyshuarin e parë me iniciale M.M i cili përndiqet për veprën penale Mashtrim, u pranua propozimi dhe gjykatësi i procedurës paraprake i ka shqiptuar masë paraburgimi prej 8 ditëve për shkak se bëhet fjalë për lëndë me procedurë të shkurtuar. Të dyshuarit të dytë, për prezantim të rrejshëm, pasi prokuroria ka kërkuar masa më të buta, gjykatësi ia ka marrë pasaportën duke i ka kërkuar që të paraqitet në gjykatë./TV21