Edhe nga Lëvizja BESA pretendojnë se është dëmtuar materiali zgjedhor i kësaj partie në Tetovë.
Kjo kuptohet nëpërmjet një shkrimi të sekretarit të përgjithshëm të kësaj partie, Arjanit Hoxha në Facebook.
“As krismat në hapjen e shtabit të BDI-së në Zhelinë dhe as heqja e dhunshme e materialit propagandues të Lëvizjes BESA në Tetovë nuk mund të na zmbrapsin nga qëllimi, rruga dhe misioni jonë. Nuk e kemi ndërmend askujt ti lëshojmë rrugë sepse askujt nuk i kemi borxh. Beteja politike qoftë në Tetovë, qoftë në Zhelinë nga Lëvizja BESA bëhet vetëm për të treguar se ne jemi ndryshe nga të tjerët dhe se dimë të bëjmë më të mirën për komunat tona. I apelojmë kundërshtarëve të jenë të kujdesshëm sepse ka kaluar koha e kaubojëve dhe bandave. Energjia dhe dëshira e qytetarëve që të qeverisen me BESË është shumë më e madhe se frika që duan të mbjellin kundërshtarët. Rrugëtimin tonë në të mirë të vendit dhe qytetarëve e kemi ndërmend ta vazhdojmë me çdo kusht dhe nëse duhet do paguajmë çdo çmim”, shkroi Hoxha, transmeton TV21.
Se është dëmtuar materiali zgjedhor kanë akuzuar edhe nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë për TV21 kanë konfirmuar se janë dëmtuar billborde në Tetovë dhe i përfshirë në to është edhe lideri i Partisë Demokratike për Shqiptarët, Menduh Thaçi. Por, nuk kanë specifikuar se billbordet të cilës parti janë.
Ndërkaq Thaçi për TV21 ka deklaruar se ai është kapur nga policia, pasi ka dalë të ndalojë aktivistët partiakë të cilët kanë qenë të irrituar pasi paraprakisht simpatizantë të partisë oponente kanë dëmtuar billbordet e kandidatit të PDSh-së për kryetar të Tetovës, Sadi Bexheti./TV21