Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se pavarësisht zhvillimeve në Kosovë dhe kërcënimeve ushtarake serbe, iniciativa “Ballkani i Hapur”, është rruga e duhur e përbashkët e dy vendeve.
Në konferencën për medie, Rama tha se në këtë temë nuk ka pajtueshmëri me palën kosovare, por ky mosdakordim nuk ndikon në marrëdhëniet me kryeministrin Kurti.
Ndërkohë tha se nuk ka pasur asnjë bisedë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për temën e reciprocitetit ndaj targave të automjeteve.
“Tani jam edhe më i bindur se sa që isha se Ballkani i Hapur është rruga jonë. Rruga jonë e përbashkët për të mirën e përbashkët. Natyrisht se kemi mos dakordësi më Albinin, kjo është politikw dhe duhet të trajtojmë si të tillë, marrëdhëniet tona nuk ndikohen”, tha ai.
Rama: Serbia të largohet nga manovrat ushtarake në kufirin me Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka kërkuar Serbisë ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur dhe të largohet nga manovrat ushtarake në kufij, pas vendimit për reciprocitet.
Në konferencën për medie, pas takimit me homologun e tij kosovar, Rama tha se manovrat ushtarake të Serbisë nuk i mbrojnë serbët lokal të veriut, por i japin hije të së kaluarës.
“Është për të ardhur keq që sot jemi dëshmitar të manovrave ushtarake të Serbisë në kufijë me Kosovën. Ato manovra nuk mbrojnë serbët lokal të veriut. Ato manovra janë hije e të kaluarës”, tha ai.
Rama e konsideroi legjitime vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve, por tha se duhet të gjendet një zgjidhje përmes dialogut.
“Reciprociteti është një normë legjitime e drejtë e Kosovës, por edhe një marrëveshje në Bruksel. Por problemi duhet të zgjidhet me dialog dhe të shmangë konfliktin në këtë pikë”, tha ai.
“Shkrepëse për institucionet”/ Rama i ashpër: Çfarë do ambasadori rus në kufi me Kosovën?
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ambasadorin rus në Beograd që vizitoi dje njësitë ushtarake të Serbisë, që janë mobilizuar në kufi me Kosovën.
Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Kurti, Rama tha se kjo është “shkrepësja që ndez institucionet”.
“Ato djegiet e institucioneve nuk i provokojnë forcat legjitime të qeverisë së Kosovës por marrja peng e serbëve në Kosovë në kushtet e një dialogu që nuk ecën ashtu si duhet. Jam i bindur që dialogu është e vetmja rrugë. Çfarë do ambasadori rus? Imagjinoni që ambasadori amerikan të shkonte në kufi. Ky është një teatër. Është shkrepësja që ndez institucionet”, tha Rama.
Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç, i shoqëruar nga shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç dhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan Kharchenko, vizituan dje njësitë serbe në Rashkë, në afërsi të kufirit në Jarinjë.
Vizita erdhi në një moment kur situata është mjaft e tensionuar pas bllokimit të pikave doganore prej një jave.
A ka biseduar me “vëllain” Vuçiq? Kjo është përgjigjja e Ramës
Në takimin e përbashkët mes dy kryeministrave në Prishtinë mësohet se në qendër ka qenë marrëveshjet e përbashkëta mes dy shteteve.
Rama në fjalën e tij është shprehur se ato kanë rënë dakord që mbledhja e radhës mes dy qeverive do të jetë në fund të nëntorit, ku tashmë është emëruar edhe një koordinator i përbashkët i cili mban dy pasaportat e vendeve.
Gazetarja: A keni pasur një bisedë me Vuçiq?
Rama: Nuk kam biseduar me “vëllain” tim, siç më quajnë miqtë e mi nga Kosova, e drejta është me Kosovën dhe kaq. Kjo është shumë e qartë, kështu që ne jemi në krah të Kosovës sic është i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Leximi i çuarjes së bërjes teatër me helikpter në Serbi është leximi më i gabuar. Ta përfytyrojë dhe vëllai jem atje, sikur të kishte dicka, sikur po sprovohej qëndrueshmëri e shtetit. I takon kryeministrit të marrë vendimet e duhura. Këtu nuk ka çfarë ndërmjetësohet. Djegiet i provokojnë dhe marrja peng e qytetarëve serb të Kosovës, në kushtet e një dialogu që nuk ecën ashtu siç duhet.
Mbledhja e dy qeverive shqiptare mbahet në muajin nëntor
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se mbledhja e përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë do të mbahet në muajin nëntor.
Në konferencën e përbashkët për medie, pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Kurti u zotua për ngritje të bashkëpunimit me Shqipërinë.
“Dy qeveritë tona kanë mundësi dhe potencial për të realizuar projektet, për këtë duhet të rrisim bashkëpunimin për më shumë barazi dhe mirëqenie ndërmjet dy vendeve. Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik që kapitali dhe mallrat të lëvizin sa më lirshëm. Biseduam edhe për avancimin e marrëveshjeve të deritanishme, biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët e cila do të mbahet në gjysmën e dytë të muajit nëntor. Po ashtu, edhe për emërimin e një sekretariati për mbikëqyrjen e këtyre marrëveshjeve”, tha Kurti.
***
Në krah të homologut të tij në Kosovë Albin Kurti, kryeministri Edi Rama i dha të drejtë Kosovës për çështjen e reciprocitetit me Serbinë. Rama i cilësoi vendosjen e serbëve në veri me Kosovës një manovër teatrale. Ai u shpreh se serbët në Kosovë kanë jetuar të pacenuar nga shteti, duke shtuar se ata janë vetëm peng i një shteti dhe ai nuk është Kosova por vetë Serbia.
“I nderuar kryeministër. Është kënaqësi të vizitoj Prishtinën pas OKB ku çështja e njohjes së Kosovës ishte një nga përparësitë e vizitës sonë në Nju Jork dhe një nga përparësitë e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e OKB-së. Nuk ka asnjë diskutim që në radhë të parë është Serbia që duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm.
Është për të ardhur keq për këtë shfaqje teatrale të Serbisë në kufi me Kosovën. Ato manovra nuk mbrojnë serbët në kufi me Kosovën siç pretendohet nga Serbia dhe nga disa gjeneralë fantazma që sikur kanë dalë nga varri pretendojnë sikur po mbrohen serbët në Kosovë. Qytetarët serbë në Kosovë jetojnë të pacenuar nga askush.
Ato manovra risjellin në skenë hijet e të shkuarës dhe nxisin nacionalizmin vandal. Është një marrëveshjen e arritur me kohë mes dy qeverive respektive. E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Serbia nuk ka asnjë të drejtë të kthejë targat në përditshmëri konfliktuale ku miza po bëhet buall a thua se qeveria e Kosovës ka njoftuar ndonjë luftë. Përsëris qëndrimin tonë se tanimë që problem është shtruar dhe askush nuk diskuton domosdoshmërinë e reciprocitetit, duhet bërë kujdes me sjelljet në atë zonë. Qeveria shqiptare e ndan bindjen se tani problemi duhet zgjidhur me dialog”, tha Rama.
“Serbia mizën po e bën buall”, Rama në përkrahje të Kurtit për reciprocitetin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron për vizitë në Kosovë.
Gjatë konferencë për media me kryeministrin Kurti, ai ka përkrahur masën e reciprocitetit, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se Serbia po e bën mizën buall lidhur me targat.
“Masa e reciprocitetit është një e drejtë e Kosovës dhe një amrrëveshje e arritur në Bruksel. Dua ta ndaj qëndrimin e Shqipërisë, se e mbështesim këtë masë. Serbia po e bën mizën buall lidhur me targat”, tha Rama.
Kurti: Kosova dhe Shqipëria kanë potencial për t’i realizuar projektet e përbashkëta
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mandatet i kanë marrë në kohën me plotë sfida duke përmendur pandeminë.
Sipas tij përtej sfidave dy qeveritë kanë potencial për të realizuar projekte të përbashkëta.
Kurti ka deklaruar se dy vendet duhet të angazhohen që tregu të jetë sa më unik, dhe që qytetarët, kapitali e malli të lëvizin lirshëm.
“Nëse ka vende që kjo të bëhet sa më shpejt, janë Kosova dhe Shqipëria. Biseduam për të gjitha fushat për qeverisjen tonë të mirë, e shohim si të rëndësishme koordinimin gjithandej. Biseduam për zbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës bëri me dije se janë dakorduar për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilën do ta udhëheqë Gentian Shala.
LIVE: Përfundon takimi, Kurti dhe Rama në konferencë për media
Pas takimit me dyer të mbylluara, Kurti dhe Rama po mbajnë konferencë për media.
***
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama po qëndron në vizitë një ditore në Kosovë. Kryeministri shqiptar është pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Tashmë në zyrën e kryeministrit Kurti ka filluar takimi me Ramën.
Pas takimit dy palësh dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për medie.
Rama në këtë takim është i shoqëruar me një pjesë te kabinetit të tij qeverisës.
Kryeministri shqiptar këtë vizitë në Kosovë po e zhvillon pas qëndrimit të tij në ShBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së OKB-së.
Në kuadër të kësaj vizitë një ditore në Kosovës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do takoj edhe liderët e opozitës në vend.
Rama po e zhvillon këtë vizitë në Kosovës pas ftesës që i bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e urimit të tij pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori edhe mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë.
***
Ka nisur takimi mes kryeministri të Kosovës, Albin Kurti me atë shqiptar, Edi Rama.
Rama do të zhvillojë vizitë njëditore në Kosovë teksa pas takimit të dy kryeministar shqiptarë do t’ju adresohen mediave.
Kryeministri shqiptar gjatë ditë do të takojë edhe liderët opozitarë dhe akademikun, Rexhep Qosja.
Kujtojmë se kjo është vizita e parë e Ramës pas marrjes së mandatit të tretë qeverisës.
Kryeministri Kurti pret kryeministrin Rama me ceremoni shtetërore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur me nderimet më të larta shtetërore, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Me një ceremoni solemne të mbajtur në sheshin “Skënderbeu”, dy homologët parakaluan nën tepihun e kuq pranë gradës ceremoniale të FSK, ku u intonuan dy himnet shtetërore.
Pas takimit dy palësh dy kryeministrat do të mbajnë një konferencë të përbashkët për medie.
Rama në këtë takim ishte i shoqëruar me një pjesë te kabinetit të tij qeverisës.
Ndërkohë, lideri i ekzekutivit shqiptar do të takojë edhe liderët tjerë politikë në Kosovë.
***
Kryeministri shqiptar Edi Rama është pritur me ceremoni shtetërore nga kreu i ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti.
Të dy janë takuar me dyer të mbyllura, për të mbajtur një konferencë të përbashkët më pas.
Vizita njëditore e kryeministrit Rama në Kosovë bëhet me ftesë të kryeministrit Kurti. Rama gjatë kësaj vizite do të takojë edhe liderët e partive politike opozitare.
***
Ka nisur ceremonia shtetërore e pritjes së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Prishtinë.
ImageFoto galeri
***
Në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” sapo ka arritur kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama i cili sot do zhvillojë vizitë një ditore në Kosovë bashkë me kabinetin e tij.
Rama është pritur nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.
Kryeministri shqiptar këtë vizitë në Kosovë po e zhvillon pas qëndrimit të tij në ShBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së OKB-së.
Në bazë të agjendës kryeministri shqiptar në orën 08:50 do pritet me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në sheshin “Skënderbeu”.
Ndërsa, në orën 10:20 do adresohen për medie.
Në kuadër të kësaj vizitë një ditore në Kosovës kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do takoj edhe liderët e opozitës në vend.
Rama po e zhvillon këtë vizitë në Kosovës pas ftesës që i bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e urimit të tij pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mori edhe mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë.
Rama sot vizitë zyrtare në Kosovë, kjo është agjenda e takimeve
Kryeministri Edi Rama do të udhetojë sot drejt Prishtinës në kuadë të një vizitë zyrtare ku do të takohet me homologun e tij Albin Kurti.
Ky takim vjen fill pas kthimit të kryeministrit Rama nga SHBA. Mediat e Kosovës shkruajnë, se pritja e kreut të qeverisë shqiptare do të bëhet me anë të një ceremonie shtetërore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Mësohet ndër të tjera se lajmi është bërë i ditur nga vetë zyra e kryeministrit Albin Kurti, ku ndër të tjera tregohet dhe agjenda e takimit mes dy krerëve të qeverisë.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, më 27 shtator 2021, duke filluar nga ora 08:50, pret me ceremoni shtetërore në Sheshin “Skënderbeu”, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë. Pas takimit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Rama, mbajnë konferencë për media në ora 10:20”- thuhet në njoftim.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Ramës në Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Në mes dy kryeministrave ka pasur përplasje e kjo për shkak të nismës së ndërmarrë Open Balkan, e cila është refuzuar nga Prishtina zyrtare. Takimi i sotëm vjen në një moment kur mes Kosovës dhe Beogradit ka përplasje dhe tensione të forta sa i përket ccështjes së reciprocitetit të vendosjes së targave.




