Dorëheqja si akt moral

Shkruan: Zeqirija Ibrahimi

(Koment mbi deklaratën e djeshme: “Kjo nuk është kohë e dorëheqjeve, por e punëve”)

“Kjo nuk është kohë e dorëheqjeve, por e punëve.” Kështu deklaruan dje zyrtarët qeveritarë dhe ata që e drejtojnë spitalin e Tetovës, duke nënkuptuar se “ne kemi punë tash dhe nuk duhet të iket nga përgjegjësia”. Punë është dashur të bëni para se të ndodhë djegia, e jo tash ta mblidhni hirin. Tash është koha e marrjes së përgjegjësisë. Sa e neveritshme është kjo.

Në Japoni ministri i Transportit jep dorëheqje vetëm sepse treni vonohet disa minuta, ndërsa këta nuk japin dorëheqje as pse vdesin njerëz që do të duhej të jenë nën mbrojtjen e tyre. Edhe ministri japonez i Transportit nuk është fajtor i drejtpërdrejtë që drejtuesi i trenit vonohet disa minuta, por ai e merr pjesën e tij të përgjegjësisë për mosfunksionimin e sistemit.

Kjo djegie ka ndodhur në objekt publik (spital), të cilin e menaxhon Ministria e Shëndetësisë. Me interpretim shqiptar i bie se djegia ka ndodhur në shtëpinë tënde dhe kanë vdekur njerëz që ty të janë besuar t’i mbrosh. Dhe, ti nuk ia ke dalë. Pavarësisht fajit, ti moralisht duhet të dorëhiqesh. Faji është punë hetimesh që nuk dihet kur përfundojnë dhe si përfundojnë. Ti jep dorëheqje për t’ua qetësuar dhimbjet familjarëve dhe shoqërisë. Meqë ky dëm ka ndodhur në resorin e shëndetësisë, dorëheqje jep ministri i Shëndetësisë, në këtë edhe zëvendësministri, drejtorët e spitalit dhe secili që ka qenë i përfshirë në menaxhimin e spitalit.

Nuk ka lidhje dorëheqja me hetimet. Dorëheqja sot duhet të bëhet për arsye morale. Pas hetimeve, nëse do të jenë të pavarura, do të ketë përgjegjësi penale. Madje, vetëm duke u dorëhequr, hapet rruga për hetime të pavarura. Kështu dyshohet se ata që nuk dorëhiqen duan të ndikojnë edhe në hetime.

Dorëheqja në këso raste nuk është përgjegjësi juridike, por dëshmon për moralin e atij që e bën. Fatkeqësisht, këta njerëz as këtë nuk e kanë.