“Kosova nuk ka dosje të UÇK-së, të gjitha i janë dorëzuar NATO-s”

Ish-gjenerali i UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, Daut Haradinaj, e ka quajtur të çuditshme temën e dosjeve 22 vjet pas luftës.

Haradinaj ka thënë se UÇK-ja nuk ka pasur dosje dhe të gjitha materialet i janë dorëzuar NATO-s në kohën e çmilitarizimit të UÇK-së.

“Më të thënë të drejtën, është e çuditshme që në vitin 2021 diskutohen temat e dosjeve, me sa jam i informuar, UÇK-ja nuk ka pasur asnjëherë dosje të mbyllura, kanë qenë publike, pjesa më e madhe e atyre materialeve janë dorëzuar në NATO në kohën e çmilitarizimit dhe në transformimin e UÇK-së në TMK. Një prej tyre që e kam udhëhequr këtë proces jam vetë në Zonën e Dukagjinit, të gjitha materialet, dosjet, armatimi, i kemi depozituar te KFOR-i”, ka thënë Haradinaj në Radio Prishtina.

Ai tha se institucionet e Kosovës kanë rënë pre e politikave të Millosheviqit, që qeverisin aktualisht në Serbi.

“Nuk di çka nënkupton nga kjo, ose çka kërkohet përmes këtyre dosjeve, por megjithatë institucionet tona kanë rënë pre e politikave të Millosheviqit që e qeverisin Serbinë. Është dashur të jenë më të kujdesshëm, ne kemi arsye të kërkojmë hapjen e dosjeve në Serbi, sepse kërkojmë të zhdukurit, por nuk guxojmë të themi që ‘hajde të hapim dosje’, sepse ne po barazohemi me ushtrinë jugosllave”, ka deklaruar Haradinaj.