“Pa ndonjë të njohur, pret me orë të tëra”, tetovarët ankohen për parregullsi gjatë pritjeve për vaksinim

Të vaksinohesh në Tetovë duhet të kesh ndonjë të njohur ose do të duhet të presësh me orë të tëra për të zënë radhë. Kështu thonë qytetarët që kishin ardhur për tu vaksinuar në pikën e vaksinimit që është në shtëpinë e shëndetit publik në spitalin e Tetovës.

“Prej ora gjashtë të mëngjesit pres, s’ka rend s’ka rregulla, me të njohur hynë brenda, me telefonata. Vetëm tek këta dy pikat çka janë tek mjekësia edhe këtu nuk ka rregulla. Para dy javësh e kam pas terminin tek mjekësia nuk e kam marr vaksinën shkaku radhës dhe parregullsisë. E gjithë kjo korrupsioni. Kisha apeluar pak me rregull dhe drejtësi jo me korrupsion se nuk shkon me korrupsion çdo sen”.

“Nga ora gjashtë, ja shiko kovidin vetë shteti e sjell, jemi mbledh këtu 300 mijë banorë kovidin shteti e sjell vetë”.

“Nga mëngjesi e kam dhënë letërnjoftimin edhe akoma nuk më kanë thirr. Këtu sëmuresh dhe mund të biesh. Kisha thënë të ketë më shumë pika edhe asgjë tjetër”.

Mjekja Edona Salii thotë se procesi i vaksinimit është duke ecur në rregull edhe pse pranon se qytetarët duhet që të presin për tu vaksinuar. Por ajo thotë se në ditë vaksinohen mbi 2 mijë qytetarë dhe se ata e japin maksimumin.

“Interesimi i qytetarëve është shumë i madh. Kemi 2000 deri në 2500 qytetarë që çdo ditë vaksinohen me vaksinat Fajzer dhe mbi moshën 60 vjeçare Astra Zeneka. Ka shumë qytetarë vaksinimi. Është pa termin, por aq janë mbërritjet. Shumë persona vinë nga orët e mëngjesit dhe aq mund të arrihet. Kemi ndonjëherë edhe bllokim të sistemit. Shtëpia e shëndetit e bën maksimumin e vetë mirë, por aq mund të arrihet”, theksoi Edona Sali – mjeke.

Në qytetin e Tetovës deri më tani janë vaksinuar mbi 30 mijë qytetarë thonë nga Shtëpia e shëndetit publik. Numri i atyre që duan të vaksinohen është shumë i madh, por edhe atyre që akoma nuk kanë pranuar asnjë dozë të vaksinës. Përkufizimi i lëvizjes për qytetarët që nuk kanë marr vaksina ka rritur edhe interesimin për tu vaksinuar, sidomos në Pollog./TV21