Fillon pastrimi i deponisë në afërsi të fshatit Rashçe

Kryetari i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov njoftoi sot fillimin e punimeve për pastrimin e deponisë që gjendet në territorin e Komunës së Sarajit, përgjatë rrugës për në fshatin Rashçe.

“Fillojmë me pastrimin e kësaj deponie të madhe të krijuar viteve të fundit, në rrugën për në fshatin Rashçe. Me pastrimin e kësaj deponie dua të njoftoj se Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Sarajit do të intensifikojnë mbikëqyrjen nga ana e inspektorëve që të pengojnë krijimin e serishëm të kësaj deponie”, tha Shilegov.

Ndërkohë kryetari Komunës së Sarajit, theksoi se kjo deponi po pastrohet për herë të dytë dhe kërkoi nga qytetarët që të jenë më të kujdesshëm dhe të parandalojnë krijimin e këtyre deponive, në të kundërtën nuk do të kursehen nga gjobat të gjithë ata që do të hedhin mbeturina në vende që nuk janë të parapara për hedhjen e mbeturinave.

“Të gjithë që shkelin ligjet dhe që do të hedhin mbeturina vend e pa vend do të përballen me ligjin”, tha Bexheti.

Derisa drejtori i N.P. Abdusamed Shabani përkujtoi qytetarët në mundësin që mbeturinat e tyre të mund t’i hedhin në vendet përkatëse, gjegjësisht në deponinë Drislla.

“Jemi dëshmitarë që ka filluar një aksion i madh për pastrimin e kësaj deponie nga ana e ekipeve të Higjienës Komunale, me ndihmën e Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Sarajit”, tha Shabani.