Deri të dielën temperatura mbi mesataren, nga e hëna reshje të shiut

Moti stabil, i ngrohtë me temperatura ditore mbi mesataren do të jetë prezent deri të dielën, pas çka do të pasojë periudha e motit të ndryshueshëm, me vranësira dhe me reshje lokale të shiut.

Sipas paralajmërimit të DPHM-së, nëpër fushëgropa, gjatë orëve të hershme të mëngjesit dhe të paradites, do të ketë dukuri të mjegullës dhe vranësirave të ulëta. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi jugor.

Nesër dhe pasnesër temperatura ditore do të arrijë deri 20 gradë, të dielën 19, ndërkaq edhe gjatë javës së ardhshme do të jetë i ngrohtë me temperatura deri 17 gradë. Temperaturat e mëngjesit do të lëvizin mes zero dhe 10 gradë.

Nga DPHM theksojnë se moti i ngrohtë do të shkaktojë shkrirje të shtresës së borës në male.

Nga e hëna, nën ndikimin e valës së lagësht do të mbisundojë mot i ndryshueshëm me vranësira dhe me reshje të shiut, vende-vende me reshje të rrëmbyeshme, të shoqëruara me erë të përforcuar jugore. Reshje të kohëpaskohshme lokale të shiut do të ketë edhe të mërkurë.