Në Hagë mbahet konferencë statusore ndaj Mustafës

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha të hënën se deri më 15 shkurt do të dorëzojë të gjitha materialet e dala nga hetimet, lidhur me rastin e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafës.

Në seancën statusore, apo për ecurinë e çështjes, Prokuroria tha se deri më tani pothuajse kanë nxjerrë të gjitha provat, përfshirë edhe ato shfajësuese që duhet t’i dorëzohen palës mbrojtëse.

Prokuroria përmendi se këtyre materialeve mund t’iu shtohet edhe një dëshmitar, i cili është intervistuar më herët nga ta, por që prokurorët ende janë duke verifikuar të dhënat.

Deri më 15 shkurt, Prokuroria deklaroi se do të dorëzojë para Dhomave të Specializuara dosjen para-gjyqësore apo paraprake.

Në këtë seancë nuk po merr pjesë Salih Mustafa, gjë për të cilën ai i ka njoftuar me shkrim Dhomat e Specializuara.

Avokati i Mustafës, holandezi, Julius Von Boné, tha se nuk ka pasur vështirësi në marrjen e provave, vetëm se disa ende nuk janë përkthyer në shqip.

“E vetmja vështirësi është se disa nga materialet e nxjerra janë në gjuhën angleze, disa nga deklaratat nuk janë përkthyer në shqip. Kjo është e vetmja vështirësi që kemi”, tha Von Boné .

Von Boné kërkoi nga gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou që seanca të mbyllet për media, ku palët të diskutojnë lidhur me një provë të Prokurorisë.

Salih Mustafa akuzohet nga Dhomat e Specializuara për krime lufte. Aktakuza ndaj tij ka katër pika: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Më 28 tetor, të vitit 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.